Pajtohem që të ketë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Pajtohem që të ketë referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Në një intervistë për Periskopi.com, Spahiu thotë se përgjegjës për arrestimin e Haradinajt dhe të tjerëve me urdhër të Serbisë, janë institucionet e drejtësisë.

Ai flet se çfarë do të ndodh në Kosovë nëse Haradinaj ekstradohet në Serbi dhe tregon se si Serbia çdo ditë e më shumë është e pranishme në Kosovë.

Spahiu tregon nëse duhet vazhduar dialogu, dhe tregon se pajtohet që të ketë një referendum por me kushte.

Si e komentoni situatën e fundit me murin në Mitrovicë?

Spahiu: Muri në Mitrovicë është dëshmi e paditurisë kulmore të politikanëve kosovarë që na përfaqësojnë në Bruksel.  Marrëveshja për rrënimin e një muri e ngritjen e një tjetri është  cirk i ndytë, në hesap të taksapaguesve të Kosoves me paratë e tyre.

Krejt kjo është produkt i një marrëveshjeje absolutisht të keqe e të dëmshme për Kosovën, papërjashtimisht e dëmshme për të gjitha komunitetet e saj. Thjeshtë, nuk është dashtë të nënshkruhet. Nëse shteti i Kosovës nuk ka pas fuqi me heqë barrikadën në urë, është dashtë ta lërë barrikadën aty dhe jo ta legalizojë një barrikadë të re duke bërë edhe 3 kompromise, secili më i rëndë se tjetri. 1. Ngushtimi i urës nga 4 korsi në vetëm 2 korsi. 2. Shndërrimi i rrugës kryesore nacionale në shëtitore dhe 3. (më e keqja) në vend të rindërtimit të Xhamisë së Ibrit, Xhamisë më të vjetër të Mitrovicës, ndërtimi i shkallëve për invalidë, dhe tereni sportiv.

Nënshkrimin në këtë marrëveshje ka mundur ta hedhë vetëm një njëri i shitur apo tërësisht i padijshëm.

Sipas jush kush është fajtor që ende po ndodhin arrestime me urdhër të Serbisë, si ai i Ramush Haradinajt?

Spahiu: Qeveria e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë që nuk e bëjnë të njëjtën gjë ndaj liderëve politikë të Serbisë.

Nëse Haradinaj ekstradohet në Serbi, çfarë kahje mendoni se do të marrë situata në vend?

Spahiu: Nuk do të ndodhë asgjë spektakulare vetëm se Kosova humbë perspektivën për ndryshim demokratik të qeverisjes.

A mendoni se institucionet e vendit nuk kanë treguar kujdes të duhur në raport me Serbinë që nga paslufta?

Spahiu: Aspak. Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbia çdo ditë e më tepër është më shumë prezente në jetën politike dhe ekonomike të vendit.

Substanca e sovranitetit po gërryhet në politikë, ekonomi e drejtësi nga Serbia, ndërsa në kulturë e media nga Shqipëria.

Si e vlerësoni vazhdimin e dialogut me Serbinë, tani në nivel presidentësh?

Spahiu: Dialogu është interes kombëtar i Kosovës, ai duhet të vazhdojë gjithnjë por Kosova duhet t’i ndryshojë njerëzit e saj në këtë dialog.

A do të duhej që vazhdimi i dialogut të ndërpritet ose kushtëzohej?

Spahiu: Duhet të vazhdojë. Nuk ka se si të kushtëzohet. Është interes i  yni kombëtar. Dialogu i është  imponuar Beogradit nga ana e Uashingtonit e Brukselit për t’i dalë në ndihmë Kosovës.

Serbia ka kërcënuar Kosovën me luftë, ndërsa serbët e Kosovës mbajnë peng krijimin e ushtrisë së Kosovës. Si i komentoni këto kërcënime?

Spahiu: Ka pasur një rrezik real që Serbia t’i fuste tankset në Kosovë. Mendoj se ky rrezik u tejkalua me deklaratat e prera të kryeministres britanike dhe sekretarit të ri amerikan të Mbrojtjes.

Cila duhet të jenë veprimet e Kosovës në raport me Serbinë, pas të gjitha ngjarjeve të fundit?

Spahiu: Kosova duhet të zhvillojë identitetin e vet, politik, kulturor,  ekonomik. Kjo është përgjigja më e mirë.

A mendoni se një referendum në të ardhmen do ta vuloste fatin e bashkimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke mos e paragjykuar rezultatin?

Spahiu: E ardhmja e Kosovës është zhvillimi i shtetësisë së saj, e jo bashkimi me cilindo shtet, e aq më pak me Shqipërinë. Sidoqoftë jam për atë që të zhvillohet një referendum ku pyetjet kishin me qenë:

A jeni që

a). Kosova të jetë e pavarur

b). Kosova të bashkohet me Shqipëri

c). Kosova të bashkohet me Serbi

Jam i bindur që shumica absolute do të deklarohej për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës siç janë deklaruar edhe më 1992, dhe kishin me u heqë njëherë e përgjithmonë këto dilema. Pas këtij referendumi të gjithë ata që do të flisnin ose punonin kundër pavarësisë së Kosovës do të konsideroheshin tradhtarë të kombit.  / Intervistoi: Kushtrim Hajzeri

Shpërndaje në: