A e dinë deputetët e pushtetit se çka po ndodh në dialog: Periskopi bisedon me Rrahmanin dhe Metën

A e dinë deputetët e pushtetit se çka po ndodh në dialog: Periskopi bisedon me Rrahmanin dhe Metën

Procesi i dialogut me Serbinë, ashtu siç ishte paralajmëruar, po hyn në një fazë tejet dinamike. Brenda 10 ditëve të fundit, është përfaqësuesi i lartë i BE-së, për dialog, zoti Miroslav Lajçak që shkon në Bruksel e kthehet sërish në Kosovë. Mes këtyre 10 ditësh, ishte për vizitë edhe zoti Gabriel Escobar, mesazhet e të cilit ishin të qarta: një marrëveshje me Serbinë, është çështje javës, Asociacioni duhet të themelohet.

Periskopi ka kontaktuar disa deputetë të pushtetit për t’i pyetur nëse kanë dijeni se çka po ndodh me procesin e dialogut, ose më saktësisht për çështjen si ajo e targave.

Eman Rrahmani, deputet i Vetëvendosjes, i tha Periskopit se nuk di gjë për punën e targave.

“Për çështjen e targave se qysh ka me u vepru mundeni me iu drejtu qeverisë dhe ministrisë përkatëse se qysh kanë me vepru se nuk kam informacion se cka kanë me bo”, tha Rrahmani për Periskopin.

E për Asociacionin, ai tha se ‘nuk ka propozime konkrete”.

“Nuk është që kemi ndonjë propozim konkret, që mundem me të jep ndonjë deklarim sepse janë thjeshtë tema që po diskutohen. Diçka që s’ka ku m’u bazu, nuk mundem me pasë deklarim”, tha Rrahmani.

Ndërkaq deputeti i zëshëm i Guxo, zoti Burim Meta, i tha Periskopit se çkado që ndodhë, ai ka ‘besim në përfaqësimin e Kurtit dhe Osmanit’.

“Unë besoj shumë në Osmanin e Kurtin. Unë besoj që ata i dinë më mirë këto punë, siç besoj ata me vetdije i kanë ndarë detyrat me pushtetmarrje vetës dhe natyrisht në një moment do të ballafaqohen me cështje rtë tilla. Unë besoj që ma dinjtioz se kurdo herë më parë jemi përfaqësu edhe në bisedime në negociata po edhe në arenën ndërkombëtare nga Vjosa Osmani e Kurti. Dhe mendoj që Kosova, sovraniteti dhe pavarësia e saj, ku na duhet me kon rahat, kur para nesh i kemi dy persona  të tillë që e mbrojnë një interesë të tillë. Unë besoj që çfarëdo që bëjnë osmani-Kurti prezantojnë mendim timin”, tha Meta për Periskopin.

Periskopi i ka pyetur zotin Rrahmani dhe zotin Meta edhe lidhur me refuzimin e dy partive të mëdha opozitare për takim me Kurtin.

Rrahmani na tha se ‘nuk ka ndonjë koment pasi është mënyrë e të vepruarit të partive të opozitës’ duke nënkuptuar në opozitarizëm, ndërkaq Meta ishte më konkret në përgjigje:

“Po mendoj që nuk janë të gatshëm të marrin përgjegjësi, dhe po fshehën e po ikin, po janë të gjitha përgjegjësit e shtetit. Besoj që mirë do të ishte që edhe ata të konribonin me imputet e tyre që të marrin pjesë në çdo thirrje që iu bën Kurti – Osmani”, ka thënë Meta për Periskopin.

Pse PDK dhe LDK nuk i shkuan Kurtit në takim?

Memli Krasniqi i PDK-së, nëpërmjet një videoje dje, tha se ftesa e kryeministrit Albin Kurti është joserioze, pa përmbajtje, pa agjendë dhe pa protokoll.

“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për cështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët nderkombëtar të Kosovës”, tha Krasniqi.

“Por, për tema të tilla, për vendime të mëdha, ju së pari duhet të bëheni serioz dhe ta kuptoni se vendi i diskutimit nuk është një zyrë, por është salla e Kuvendit të Kosovës, sepse Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premten në zyrën tuaj, ju ftoj që t’i bartni në Kuvend”, tha Krasniqi.

Edhe LDK ka refuzuar takimin, duke thënë se Kurti duhet të raportojë në Kuvend për dialogun.

“Për temën e dialogut, Kryeministri i Kosovës duhet të raportojë vetëm në Kuvendin e Kosovës. Aty LDK do t’i ritheksojë dhe qëndrimet e saja. Ky ka qenë dhe dakordimi i liderëve nga takimi paraprak”, tha ajo.

Halimi ka theksuar se për LDK-në marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke.

“Për LDK-në, marrëveshja finale me Serbinë duhet të bëhet vetëm rreth njohjes reciproke. Në këtë marrëveshje të njohjes, rendi kushtetues, integriteti territorial e sovraniteti i vendit janë të panegociueshme”, është shprehur ajo./Besarta Hoti/Periskopi/

 

Shpërndaje në: