Hashim Thaçi kishte ndërhyrë përmes ndërkombëtarëve që ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë

Hashim Thaçi kishte ndërhyrë përmes ndërkombëtarëve që ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë

Kështu vlerësoi në një intervistë për Periskopin, Jakup Krasniqi, i cili në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ishte kryetar i Kuvendit.

Duke qenë se ishte kryeparlametar edhe ligjërisht i takonte të lexonte deklaratën e pavarësisë, Krasniqi nuk e kishte bërë këtë. Ai derisa tregoi pse nuk e bëri ktëtë tha se nuk ka gjë më primitive sesa përpjekja për të përvetësuar veprën e brezave,  të arritur më shumë flijime.

Krasniqi shtoi se presidenti aktual, Hashim Thaçi, asokohe kryeministër i vendit, i cili kishte lexuar deklaratën e pavarësisë,  kishte shfaqur dëshirën për ta lexuar edhe përmes mbikqyrësve ndërkombëtar të punës së Kuvendit.

Krasniqi në këtë intervistë tregoi se ku po koncentrohen meritat e brezave të tërë për pavarësinë e vendit, projekt i kujt ishte kjo pavarësi si dhe flet për të keqën më të madhe që i ndodhi Kosovës gjatë këtyre nëntë vjet shtet.

Periskopi: Si e shihni Kosovën nëntë vite pas shpalljes së pavarësisë?

Krasniqi: Çlirimi i cilitdo vendi nga pushtimi i gjatë dhe pavarësia – janë vepra kulmore në historinë e një kombi. Ndryshe nuk mund të jetë as në rastin tonë. Gjatë këtyre nëntë viteve, Kosova i ka të arriturat e saj, por edhe shumëçka tjetër gjatë këtyre viteve është zhvilluar keq dhe vendi nuk e ka arritur destinacionin e mundshëm. Dhe shih për këtë, faji është i politikës qeverisëse që ka vazhduar gjatë këtyre viteve (pas pavarësisë). Askush nuk mund ta mohoj faktin se Republika e Kosovës e ka Kushtetutën, ka ndërtuar institucionet e shtetit, ka miratuar ligje të standardeve evropiane, ka ndërtuar infrastrukturën rrugore e shkollore që nuk e kishte më parë, ka njohje ndërkombëtar nga mbi 110 shtete të Botës, është anëtarësuar në disa mekanizma botëror e evropian. Por, Kosova gjatë këtyre viteve nuk ka arritur ta respektoj kushtetutën e saj, zbatueshmëria e ligjeve, lë për të dëshiruar shumë, institucionet nuk po ju shërbejnë qytetarëve, por sundimtarëve te partive qeverisëse dhe të shtetit. Pushtetet edhe pse me kushtetutë janë të ndara, ato nuk funksionojnë mbi bazën e ligjeve dhe as janë të pavarura. Krimi dhe korrupsioni kanë mbetur pa u ndëshkuar etj.  Kjo ka bërë që institucionet e shtetit të jenë në shërbim të qytetarëve, ato janë vërë në shërbim të dy-tre njerëzve. Shkurt, as zhvillimi demokratik e ekonomik nuk ka arritur ndonjë zhvillim të dëshirueshëm. Qytetarët nuk kanëperspektivë për punësim. Procesi i Arsimit len për të dëshiruar shumë, PISA na tregoj se jemi shumë keq, ndonëse edhe kjo është ditur. Shëndetësia nuk ka mbetur pothuajse për asgjë.

Periskopi: A mendoni se në Kosovëështë përmbushur fjala shtet?

Krasniqi: Kosova është shtet, por çështja shtrohet, çfarë shteti është? Kosova është larg, tepër larg për të qenë shtet i se drejtës, ndonëse i kishte të gjitha mundësit të ishte i tillë! Për të qenë Kosova shtet në kuptimin më të mirë të fjalës, e gjithë shoqëria në Kosovë ose së paku të gjithë komunitetet e organizuara në shoqërinë tonë të kishin vullnet për ndryshim. Natyrisht përgjegjësia më e madhe është e vullnetit të politikës, por edhe politika është prodhim i shoqërisë sonë!

Periskopi: Ligjërisht leximi i deklaratës së pavarësisë i takon kryetarit tëKuvendit, por ju nuk e keni bërë këtë. Pse u vendos që deklaratën ta lexonte kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi?

Krasniqi: Për mua as dje e as sot, leximi i Deklaratës së Pavarësisë pas tetë – nëntë viteve të lirisë që për mua ishin vite të Pavarësisë reale, nuk do të thoshte ndonjë gjë të madhe. Për mua nuk ka gjë më primitive sesa përpjekja për të përvetësuar veprën e brezave të arritur më shumë flijime. Për mua ishte e rëndësishme, që përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, me votat e tyre po e formalizonin Pavarësinë e Kosovës. Hashimi pat shfaqur dëshirën për ta lexuar edhe përmes mbikqyrësve ndërkombëtar të punës së Kuvendit dhe ia mundësova edhe për faktin se leximi i Deklaratës nuk ishte ndonjë gjë për t’u krenuar pasi fuqinë e saj do ta merrte pas votimit nga 109 deputetëve prezent. Me një fjalë, Pavarësia e Kosovës nuk mund të identifikohet me një person si bëhet me Pavarësinë e Shqipërisë edhe pse më 28 Nëntor 1912, atë ditë në Vlorë nuk ishin prezent edhe personalitete që kanë pasur merita më të veçanta për Pavarësinë e Shqipërisë. Po kështu është shpeshherë, meritat e brezave koncentrohen në një njeri?! Dhe më të zhdërvjellëtit bëhen sundimtar të pa mëshirshëm?! Në raste të tilla, shtetin që duhet t’ju shërbej qytetarëve, i tëri kthehet në shërbim të individëve?! E pastaj, pasojat bien mbi gjenerata të tëra.

Periskopi:Që nga shpallja e saj disa herëështë thënë se pavarësia është projekt i ndërkombëtarëve. Projekt i kujt është ?

 Krasniqi: Kjo që thuhet nga një kategori e njerëzve s’është gjë tjetër veç një lloj i veçantë i njerëzve të pa dinjitetshëm. Dhe për fat të keq kemi shumë njerëz të tillë, që mohojnë flijimet e shumta që kanë ndodhur nga viti 1912 e krejt deri në qershorin e vitit 1999. Historia na mëson se, se paku nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e deri më 28 Nëntor 1912, populli shqiptar i Kosovës, pra Kosova ka qenëqendër e shumë Kryengritjeve Shqiptare të zhvilluara kundër Perandorisë Osmane. Shqiptarët e Kosovës edhe pas vitit 1912 kanë krejt deri në Luftën Çlirimtare 1998/99, janë dëshmi të Projektit të Pavarësisë. Kanë hequr të zitë e ullirit e vendin e tyre nuk e kanë lëshuar! Sikur kombi mos të ishte rezistentë, kujt do t’i shpallej pavarësia?  Natyrisht këtu nuk duhet mohuar as mbështetje që ka ardhur nga SHBA-ja, BE-ja e NATO.  Është  e saktë, Shpallja e Pavarësisë më 17 Shkurt 2008, është arritur në koordinim më vendet e Botës perëndimore në krye më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Periskopi: Cila është më e keqja që i ka ndodhur Kosovës, për të cilën mund të themi se ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e saj?

Krasniqi: E keqja më e madhe është se nuk arritëm ta ndërtojmë shtetin e se drejtës. Shtetin që do të duhej të vihej në shërbim të qytetarëve e jo të sundimtarëve despot. E keqe tjetër e madhe është, pse nuk i hapëm mundësi zhvillimit ekonomik e investimeve për punësim e mirëqenie. Pse nuk e bëmë procesin e privatizimit për zhvillim e punësim, por u lejua të kriminalizohet skajshmërisht nga të fuqishmit?! Pse nuk e organizuam Procesin e Arsimit nëshërbim të zhvillimit. Shkurt, pse nuk i shfrytëzuam as kapacitetet njerëzore e as pasuritë natyrore për zhvillim e mirëqenie. Ne, nuk arritëm as pasurinë e madhe për energji, ta shfrytëzojmë për ndërtimin e ndonjë kapaciteti për energji elektrike. Por ky nuk është dështimi i vetëm i qeveritarëve tanë pas pavarësisë.

Në politikën e jashtme, Bisedimet e Brukselit në mes Kosovës e Serbisë, Kosovës I kanë bërë dëme të shumta, mbase edhe të pa riparueshme, dëme që mund të kenë pasoja të mëdha për shtetësinë e Kosovës.Është në dorën e qytetarëve të Kosovës, që këtyre njerëzve që e kanë sjellë shtetin e kombin në ketë gjendje, t’ju thuhet njëherë e mirë një Jo e madhe. Për ndryshe ditë të vështira e presin vendin tonë!. /Periskopi/

Shpërndaje në: