Mbyllet Ambasada dhe Konsullata franceze në Turqi, kjo është arsyeja
Ambasada franceze në kryeqytetin turk, Ankara dhe Konsullata franceze Stamboll, janë mbyllur pa paralajmërim dhe deri në njoftimin e radhës, ka njoftuar ambasada franceze.
Vendimi vjen pas informacioneve se mund të ketë sulme ndaj festimeve në Turqi me rastin e 14 korrikut, Ditë së Revolucionit Francez.
“Ambasada e Francës në Ankara, po ashtu edhe Konsullata e Përgjithshme në Stamboll do të mbyllen që nga e mërkura e 13 korrikut, ora 01:00 p.m, deri në njoftimin e radhës”, shkruan ambasada në një deklaratë.
Gjatë ditës ambasada ka anuluar të gjitha ceremonitë për festimet e 14 korrikut në Turqi, me rastin e Ditës së Revolucionit Francez, ka njoftuar Konsullata në Stamboll.
“Informacionet që kemi marrë tregojnë për kërcënime serioze për festimet e 14 korrikut në Turqi. Si masë parandalimi, ne kemi vendosur në bashkëpunim me autoritetet turke që të anulojmë festimet”, thuhet në njoftimin nga Konsullata. /Periskopi/



