Koreografitë më të famshme në histori të derbit
Derbi që e krijojnë ata është panorama më e bukur e futbollit kosovar. Rivaliteti që për 90 minuta kthehet në urrejtje dhe më pas shndërrohet në një gjë thjesht të bukur, është diçka për të cilën Superliga ka shumë nevojë.
Derbi mes “Intelektualëve” dhe “Skifterave” ka nisur prej javësh në rrugët e Gjilanit dhe në rrjetet sociale, por çfarë do të sjellin dy tifo-grupet të dielën në tribuna?
Një pyetje për të cilën është kureshtar i gjithë opinioni futbolldashës, e veçanërisht ata që frymojnë dhe jetojnë në stilin e jetës së një tifozi ultras.
“GazetaOlle.com” sjellë te ju disa prej koreografive më të famshme në histori të derbit.
Banale, por shumë e përfolur dhe “favoritja” e tifo-grupit bardhekaltër. “Intelektualët” e realizuan këtë shfaqje në derbin e 2 marsit të vitit 2014. Ajo ishte shumë e përfolur në tifo-skenën kosovare e po ashtu në mediat online. Aq shumë e duan këtë foto tifozët e Dritës, sa që shumica prej tyre e kanë ende në profilet e Facebookut.
“Obiliqi nuk harrohet”. Tifozët e Gjilanit ende iu përmendin “Intelektualëve” disfatën më të rëndë në histori të tifo-grupit, ku u “ranë” në Kastriot, duke e humbur transparentin kryesor dhe duke u deklasuar fizikisht nga tifozët jo të organizuar vendës (pamjet mund t’i shikoni duke klikuar këtu).
Njëra ndër ngacmimet më të shpeshta që “Intelektualëve” iu bëjnë rivalëve të tyre, janë ngjyrat e klubit të Gjilanit. Rikthimi nga e vjollca në të kuqe, s’ka shpëtuar pa një mesazh të tifo-grupit bardhekaltër. “Ngjyra tjera, t’njejtit amatera”, ishte mesazhi i publikuar në derbin e nëntorit 2015.
Më 31 tetor të vitit 2015 janë sulmuar zyrat e klubit të Gjilanit, ku drejtuesit e këtij klubi pretendojnë se “Intelektualët” i kanë vjedhur trofetë e skuadrës së kuqe. E “shfrenuar” fantazia e “Skifterave” në derbin pasues: “Ju jeni hajna, na jemi ultrasa. Ju vjedhni kupa, na kapim transa”.
Tifozët e Dritës iu thonë atyre të Gjilanit “molera”. Shkak një video e publikuar në rrjetet sociale, ku disa tifozë bardhekaltër e detyrojnë një “Skifter” që ta shlyejë emrin e klubit në mur (videon mund ta gjeni duke klikuar këtu). Pankartën ironizuese “Intelektualët” e kishin publikuar po ashtu në derbin e nëntorit të vitit 2015.
Pa diskutim njëra ndër fotot më të bukura në derbi. “I kuq ose i vdekur” në të majtë, një tifoz u zhveshur në mes dhe djathtas një “Skifter” muskuloz gjatë një procesi interesant.
Fryma lokaliste dhe dallimi alla-gjakovar mes qytetarëve dhe fshatarëve, është pjesë e rivalitetit të “Intelektualëve” dhe “Skifterave”, me dy grupet që e quajnë veten “qytetarë”. “Mirë se erdhët n’shehër”, ka qenë një mesazh goditës i tifozëve të Dritës, në derbin e 2 marsit 2014.
“Skifterat” tallen shumë shpesh me vitin e themelimit të “Intelektualëve”, duke pretenduar se bardhekaltërit e kanë ndryshuar shpeshherë vitin e “prodhimit”. “RIP 2000-2012”, ishte një mesazh shumë interesant nga tifozët e Gjilanit, të cilët aluduan se rivalët e tyre janë themeluar në vitin 2000 dhe kanë “vdekur” në 2012, pas disfatës së famshme në Obiliq.
Të shpresojmë që edhe të dielën do të shohim ndonjë perlë tifozërike, që do të futet mes “goditjeve” më të famshme në histori të derbit. /GazetaOlle.com.



