Presidenti i Filipineve mbajti premtimin, vriten 192 dilerë të drogës
Policia filipinase ka vrarë 192 dilerë të drogës për tre muaj pasi presidenti i sapozgjedhur Rodrigo Duterte (71), premtoi se do të çrrënjosë krimin dhe korrupsionin.
Sipas të dhënave të cilat sot i bëri publike policia filipinase, më shumë se 43 mijë e 500 dilerë të dyshuar dhe të varur nga droga janë arrestuar në periudhën nga 10 maji deri më 10 korruk, prej të cilëve 192 janë vrarë.
“S’ka kthim prapa. E filluam këtë luftë në mënyrë të fuqishme dhe do t’i japim fund edhe më fuqishëm”, tha shefi i policisë shtetërore Ronald Dela Rosa.
Presidenti i sapozgjedhur i Filipineve Rodrigo Duterte (71) më 30 qershor dha betimin si presidenti i 16-të i këtij vendi para më shumë se qindra mediave dhe miliona online spektatorëve, me çka filloi mandatin gjashtë vjeçar.
Duterte pas mandatit si kryebashkiak i Davao City fitoi zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 9 maj dhe paralajmëroi luftë të ashpër kundër krimit, në radhë të parë kundër trafikimit të drogës.
Pas shpalljes së fitores u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në luftën kundër krimit dhe apeloi që në lagjet e tyre “me armë t’i vrasin dilerët e drogës të cilët rezistojnë arrestimet policore”.
“Ata shkatërrojnë fëmijët tanë. Ju paralajmëroj, mos hyni në të se madje edhe polic nëse jeni, do t’iu vras. Nëse njihni ndonjë të varur nga droga, lirisht vriteni, sepse do të ishte e dhimbshme që këtë ta bëjnë prindërit e tij”, tha Duterte.
Pak para inaugurimit të Dutertes, i cili premtoi shpërblim për secilin polic që arreston një diler droge “të gjallë ose të vdekur”, rreth 4.000 të dyshuar për trafikim droge u dorëzuan në polici.
Gjatë 22 viteve në postin e kryebashkiakut, Duterte nga krimi dhe dhuna Dava City e shndërroi në qytet të qetë me krim të ulët dhe investime të mëdha. Për shkak të deklaratave të tij kundërthënëse shumë grupe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut theksuan se deklaratat e tij mund të sjellin deri te shkelja e të drejtave të njeriut.



