Prishtina “e Podujevës”
Pos stërvitjeve, Prishtina edhe ndeshjet si vendase do t’i zhvillojë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, që ka fushë me bar artificial. Zyrtarët e klubit bardhekaltër kanë njoftuar të hënën se ndeshjen si vendas në kuadër të Vala Superligës ndaj Drenicës do ta luajnë në stadiumin e Podujevës.
Kjo ndeshje i takon xhiros së 19-të. Në këtë stadium skuadra e Prishtinës ka gjasa t’i zhvillojë edhe disa ndeshje si vendase, pasi stadiumi i Obiliqit, aty ku skuadra ka luajtur e stërvitur prej fillimit të edicionit, është në gjendje të keqe.
Prishtina që nga vera e vitit të shkuar ka ngelur pa stadium, pasi ai i qytetit të Prishtinës i është nënshtruar një renovimi të tërësishëm dhe kësisoj skuadra është detyruar të kërkojë fushë për stërvitje e lojë nëpër qytete të ndryshme.
Stadiumi i Llapit, do të jetë “vendstrehim” i Prishtinës derisa të përmirësohet koha, por edhe fusha e Obiliqit. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).



