Problemet me pronë lënë peng investimin 2 milionë eurosh të UEFA-s në Obiliq
Paratë e shtëpisë së futbollit evropian dedikuar për rregullimin modern të tri fushave sportive dhe objekteve përcjellëse, janë duke pritur, derisa zyrtarët e FFK-së paralajmërojnë humbjen e këtyre fondeve.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i ka thënë Kohavisionit se tash e sa muaj, nuk ka lënë derë pa trokitur për të bërë zgjidhje, madje ka shkuar edhe deri te kryeministri Isa Mustafa, por që deri me tani kërkesat e tij kanë hasur në veshë të shurdhër.
Pasi nuk mori përgjigje pozitive, Gashi ka vendosur që të mbajë mbledhje urgjente në Kuvendin Komunal dhe e ka shpallë atë zonë me interes publik.
Gashi, që po pret të fuqizohet vendimi i Kuvendit Komunal nga Ministria e Pushtetit Lokal, deklaroi se tani i mbetet Ministrisë së Financave që ta caktojë çmimin e pronës e më pas Komuna e Obiliqit do të paguajë shumën e caktuar në Agjencinë e Privatizimit, në mënyrë që të fillojë implementimi i projektit.
I pari i Obiliqit ka thënë se krejt kjo vonesë ka ndodhur shkaku i procedurave burokratike dhe do të ishte mëkat e turp për komunën nëse e humb këtë projekt.
Sporti në KTV, të martën, ka qenë në Obiliq, për të parë vendin ku duhet të ndërtohet qendra sportive. Në hapësirën prej 10 hektarëve, ku ndodhen fushat e futbollit, ku i luan ndeshjet KEK-u, pritet të përfitojë edhe klubi i vetëm i futbollit nga Obiliqi.
Të gjitha problemet kanë lindur pasi toka, në të cilën ndodhen fushat e futbollit, është e Kombinatit Bujqësor, asetet janë të Korporatës Energjetike të Kosovës, ndërkohë menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Nëse nuk rregullohet çështja e pronësisë brenda disa muajve, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, theksoi se ky projekt i madh rrezikon të humb.



