Në Shqipëri shënohet Dita e Verës

Në Shqipëri shënohet Dita e Verës

Siç është bërë tashmë traditë, edhe këtë vit në Shqipëri është shënuar festa e Ditës së Verës, ku janë organizuar aktivitete të ndryshme në disa qytete të vendit, por më shumë në Tiranë dhe Elbasan, raporton Anadolu Agency (AA).

Epiqendra e festimeve për Ditën e Verës, është qyteti i origjinës së kësaj feste, Elbasani, por edhe kryeqyteti i vendit, Tirana, ka patur një axhendë të ngjeshur me aktivitet festive.
Festimet në Tiranë kanë nisur në bulevardin qendror “Dëshmorët e Kombit”, ku aktivitete të ndryshme do të organizohen gjatë gjithë ditës së sotme, si koncerte, panaire, etj.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshet “Skënderbeu” dhe “Nënë Tereza” në kryeqytetin e Shqipërisë, janë mbushur me qindra qytetarë, të cilët iu janë bashkuar festimeve për Ditën e Verës, të organizuara nga Bashkia e Tiranës, ndërsa vërehet edhe dekori ndryshe i qytetit.

Pjesë e festimeve është bërë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka uruar të gjithë qytetarë për këtë festë. “Fillon një stinë e re, një stinë e mbarë, të gjithëve ju uroj shëndet e lumturi. Fokusi për Bashkinë e Tiranës edhe për Ditën e Verës, ashtu si gjithë këto ditë kanë qenë fëmijët. Dhe shumica e aktiviteteve kanë patur si qëllim argëtimin e fëmijëve”- u shpreh Veliaj në një prononcim për mediat.

Ndërkohë festime të shumta ka patur edhe në Elbasan, që konsiderohet si kryeqyteti i Ditës së Verës. Bashkia e Elbasanit ka përgatitur një sërë aktivitetesh, si koncerte panaire, dhe shfaqje të ndryshme.

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë pagane, ku si qendër e festimeve njihet qyteti i Elbasanit, që e ka ruajtur këtë traditë ndër shekuj. Ndërsa ëmbëlsira tradicionale dhe shumë e njohur e kësaj festë është bollokumja. Dita e Verës është shpallur si festë zyrtare në Shqipëri, pari disa vitesh, dhe si pasojë festimet organizohen edhe në kryeqytet.

Shpërndaje në: