Tenderi diskriminues i Komunës së Prishtinës për të njëjtat punë: Punëtorët komunalë 600 euro pagë, të angazhuarit 1200 euro
Komuna e Prishtinës ka vendosur që 171 mijë euro t’i dërgojë tek pagat e katër personave që do të angazhojë për 36 muaj për mbikëqyrjen e projekteve komunale, shkruan Periskopi.
Komuna e Prishtinës ka rreth 700 zyrtarë të punësuar. Muhamed Emra, Irfete Zejneli, Syzana Pllana, Qazim Bajrami, Dugagjin Buqaj, Zyhrije Pllana, janë vetëm disa prej zyrtarëve që janë menaxherë të kontratave më të mëdha që zbatohen nga Komuna e Prishtinës. Paga e tyre sillen rreth 600 euro. Për të kryer punët e njëjta, Komuna po mëton të angazhojë nëpërmjet procedurave të prokurimit publik edhe katër ekspertë, por pagat e tyre do të jenë fiks edhe njëherë më të larta se të kolegëve të tyre tash e mbi 10 vite në Komunë.
“Angazhimi i 5 ekspertëve për punë dhe detyre specifike, menaxhim te kontratave për nevojat e Komunës se Prishtinës”. Kështu quhet kontrata që do të lidhet me katër dhe jo me pesë ekspertë siç e ka cekur komuna.
Qëllimi i përgjithshëm i kontratës është marrja e shërbimeve konsulente individuale për Menaxhimin e Kontratave.
Totali i ofertave do të jetë 171 mijë euro totali për tri vite për pagat e të katërtëve.
Në Lot 1 është përzgjedhur, Votim Emini më shumë të përgjithshëm prej 41,400.00 eurove. Në lot 2 Vildane Maliq më shumë të përgjithshme prej 43,200.00 eurove. Në lot 3 Anitë Sadikaj, me shumë 43,200.00 euro dhe në lot 4 Kelmend Kastrati, më shumë 43,200.00 euro.
Afati kohor për dorëzimin e aplikimit ka qenë i shkurtuar: “Ky aktivitet ka qenë i publikuar edhe njëherë dhe kërkesa e njësisë kërkuese është që të ri tenderohet dhe te kryhet ne afatin sa më të shpejtë të mundur për shkak te nevojave te mëdha që ka AK për angazhimin e ekspertëve për punët dhe detyrat specifike që ka komuna e Prishtinës”, ka arsyetuar prokurimi komunal.

Komuna e Prishtinës ka strukturë funksionale me 16 drejtori dhe njësi që lidhen drejtpërdrejt me Kryetarin. Drejtoritë qeverisen nga drejtorët të cilët i raportojnë drejtpërdrejt Kryetarit. Në strukturën organizative të Komunës së Prishtinës nën njësitë që e përkrahin drejtpërdrejt Kryetarin ekziston edhe Zyra për Menaxhimin e Projekteve. Roli i kësaj zyre është menaxhimi i projekteve dhe kontratave për investime kapitale. Zyra punon me zyrtar në zyrën për Menaxhimin e projekteve, të cilët janë inxhinier të Ndërtimit dhe janë përgjegjës për cilësinë dhe koordinimin e projekteve. Menaxherët e kontratave, caktohen nga inxhinierët që janë në dispozicion në Komunë.
Menaxherët e kontratave janë zyrtarë komunal të cilët kanë vend të rregullt të punës me detyra dhe përgjegjësi të paracaktuara me kontratën e punës dhe se angazhimin shtesë në cilësinë e menaxherit të kontratave e kryejnë si angazhim sekondar. /Periskopi/



