Rritje e varfërisë, rënie e të ardhurave: Shifrat e frikshme nga raporti i UNDP-së

Rritje e varfërisë, rënie e të ardhurave: Shifrat e frikshme nga raporti i UNDP-së

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka lansuar Analizën e Pulsit Publik të titulluar “Shqyrtimi i Dinamikës së Varfërisë së Amvisërive Përballë Inflacionit”.

Gjetje në këtë analizë kanë treguar se shpenzimet për nevojat bazë, përfshirë gjërat ushqimore, transportin, shërbimet komunale, shëndetësinë, qiranë dhe shpenzimet e arsimit, janë rritur gjatë tre viteve radhazi.

“Gjetjet lidhur me ndikimin e inflacionit tregojnë po ashtu se 29 për qind e respondentëve kanë raportuar se kanë reduktuar shpenzimet e tyre ose kanë shtyrë pagesën e faturave. 19.6 për qind kanë raportuar se janë shumë të shqetësuar lidhur me borxhin e akumuluar përgjatë rritjes së kostos së jetesës”, tha  menaxherja e projekteve në UNDP, znj. Alisa Hasani.

Ajo tha se po ashtu 14.7 për qind nga respondentët janë përgjigjur se rritja e kostos së jetesës në mënyrë të konsiderueshme kanë ndikuar në mundësitë e tyre për të paguar borxhet ekzistuese.

Respondentët janë pyetur se çfarë duhet të ndërmarrë Qeveria e Kosovës në mënyrë që të zbusë ndikimin e inflacionit ndërsa shumica prej tyre janë përgjigjur se duhet të rriten pagat.

Disa nga rekomandimet që UNDP i ka bërë për institucionet kosovare janë reformat në tregun e punës si dhe të ndërmarrë masa ekonomike përfshirë promovimin dhe mbështetjen për vetëpunësimet dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Prezantimi i gjetjeve kryesore u pasua nga një diskutim në panel me aktorë të ndryshëm që synojnë të nxisin një shpjegim më gjithëpërfshirës të çështjes dhe veprimeve që duhet të ndërmerren. Projekti Pulsi Publik ka hyrë në vitin e 21-të të punës me respondentë nga të dy gjinitë si dhe nga të gjitha komunitetet në Kosovë

Gjetjet kryesore nga raporti:

**Teksa në vitin 2021, 38.8% e ekonomive familjare shpenzuan 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore kjo vlerë u rrit në 47.8% dhe deri në 59.5% të ekonomive familjare në vitet 2022 respektivisht 2023.

**Duke i përdorur të dhënat e të hyrave dhe kufirin e varfërisë prej 1.85 euro për person në ditë, shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%. 10% e ekonomive familjare ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021, duke treguar një rënie në krahasim me vitin e kaluar.

**Krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10% e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë, kur mirren parasysh të dhënat për rritjen e çmimeve.

**Inflacioni ka ndikuar në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar ndërprerje në aktivitetet rutinore dhe rritje të stresit, duke çuar në cilësi më të ulët të jetës; 46% të respodentëve deklaruan se stresi dhe ankthi i tyre janë rritur si rezultat i rritjes së çmimeve.

**69.2% e të anketuarve raportuan se duhej t’i përshtatnin zakonet e tyre të shpenzimeve ose buxhetin në përgjigje ndaj çmimeve më të larta vitin e kaluar.

Gazetari Lirim Mehmetaj, sjell gjetjet kryesore nga raporti, duke vendosur theksin e jetesës me më pak se 2 euro në ditë.

Ai shkruan:

Jetë me më pak se 2 euro në ditë

Gjetjet e Raportit të Fundit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) të lansuara në Analizën e Pulsit Publik janë të frikshme.

Rezultatet e anketës tregojnë për rritje të varfërisë, rënie të të ardhurave dhe shtim të familjeve që jetojnë në mizërie prej më pak se 2 euro në ditë.

Sipas raportit, “krahasuar me vitin 2021, në vitin 2023, një shtesë prej 10% e familjeve të anketuara jetonin nën pragun prej 1.85 euro në ditë, kur mirren parasysh të dhënat për rritjen e çmimeve”.

Në raport po ashtu thuhet se “shkalla e varfërisë në vitin 2023 vlerësohet të jetë 16%”.

“10% e ekonomive familjare ishin dukshëm më të varfra në mes të viteve 2023 dhe 2021, duke treguar një rënie në krahasim me vitin e kaluar”.

Raporti gjen gjithashtu se “teksa në vitin 2021, 38.8% e ekonomive familjare shpenzuan 200 ose më shumë euro për gjëra ushqimore kjo vlerë u rrit në 47.8% dhe deri në 59.5% të ekonomive familjare në vitet 2022 respektivisht 2023”.

Në raport thuhet edhe se “inflacioni ka ndikuar në mirëqenien mendore dhe sociale, duke shkaktuar ndërprerje në aktivitetet rutinore dhe rritje të stresit, duke çuar në cilësi më të ulët të jetës”.

“69.2% e të anketuarve raportuan se duhej t’i përshtatnin zakonet e tyre të shpenzimeve ose buxhetin në përgjigje ndaj çmimeve më të larta vitin e kaluar”.

Të gjithë po e shohim e po e përjetojmë këtë situatë të frikshme ekonomike.

Janë veç tri kategori që mendojnë ndryshe: Qeveria, ata që mirëmbahen nga qeveria dhe ata që nuk jetojnë në Kosovë.

Lufta me të poshtrit e të ligët do jetë e vështirë, sidomos kur bëhet nga pozicioni i të varfrit.

Edhe opinionisti Visar Ymeri, sjelli në vëmendje disa prej gjetjeve kryesore nga raporti, mbrëmë në emisionin e debatit të televizionit Dukagjini.

“Aty ka disa shifra që tregojnë se kemi problem të jashtëzakonshëm. Gati 60% e familjeve në Kosovë, shpenzojnë mbi 200 euro në ushqim dhe gjësende të tjera. Prej këtyre familjeve, mbi 69 % kanë deklaru se është dashur t’i ndryshojnë shprehitë konsumuese, për shkak të rritjes së çmimeve. Pra buxhetin që e kanë pasë për me ble në vitin 2021, nuk kanë mundur t’i blejnë ato në vitin 2023. Pra, kemi një problem të jashtëzakonshëm social, sepse ngritjen e çmimeve nuk e kemi përcjell me ngritjen e pagave. Pra, nuk e di a jemi shtet i varfër, por jemi popull i varfër, kjo e tregon edhe në raport të UNDP-së”, tha ai, përcjell Periskopi.

Deputetja e LDK-së, znj.Hykmete Bajrami, që prej kohësh alarmon mos-adresimin e inflacionit në rritjen e pagave.

Në një prej mesazheve të fundit në llogarinë e saj në Facebook, duke demantuar kryeministrin Albin Kurti për projektbuxhetin 2024 dhe njëherit duke e quajtur ‘manipulim me shifra’ ato që prezantoi Kurti, shkruan kështu:

“Koeficienti i pagave 110 Euro ështa tallje me qytetarë, rritje e koeficientit për vetëm 4.7% derisa inflacioni në shtator të vitit 2022 ka qënë 14.7% e në shtatorin e këtj viti 4.2%, dmth. rritja e koeficientit prej 5 euro as për se afërmi nuk e reflekton shkallën e inflacionit në vend”.

Projektbuxheti për vitin 2024 dhe manipulimi me shifra i Kryeministrit

Nëse buxheti për vitin 2024 është paraparë të jetë 3.314 miliardë Euro, i bie të jetë vetëm 76 milionë Euro ose 2.3% më i madh sesa buxheti i këtij viti, i cili sipas ligjit në fuqi është 3.238 miliardë Euro.

Me një rritje prej vetëm 76 milionë Euro, Kryeministri në postimin e tij na thotë se

“është rritë buxheti për drejtësi për 31%;

është rritë buxheti për për arsim për 20%;

është rritë buxheti për ShSKUK për 25%;

58 milionë euro investime kapitale në përgatitje të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030;

janë paraparë 500 policë më shumë;

600 ushtarë më shumë,

rreth 22% buxhet më shumë për sektorin e mbrojtjes”

Kah Kryeministër? Qysh po të del llogaria me vetëm 76 milionë Euro më shumë?

Këto janë manipulime me shifra, që të gjitha janë të pavërteta, sepse nuk ke mundësi me i pasë rritjet në sektorët e lartëpërmendur me vetëm 76 milionë Euro më shumë, andaj stop manipulimit se tashmë askush nuk ju beson dhe sapo ta marrin dokumentin e projektbuxhetit do t’i demantojmë të gjitha.

Koeficienti i pagave 110 Euro ështa tallje me qytetarë, rritje e koeficientit për vetëm 4.7% derisa inflacioni në shtator të vitit 2022 ka qënë 14.7% e në shtatorin e këtj viti 4.2%, dmth. rritja e koeficientit prej 5 euro as për se afërmi nuk e reflekton shkallën e inflacionit në vend./Periskopi/ 

Shpërndaje në: