Hilet që iu bënë PSG-së në humbjen e mbrëmshme nga Barcelona (Foto)
Katalunasit arritën të përmbysin rezultatin e ndeshjes së parë prej 4:0, duke fituar ndeshjen e dytë në Camp Nou me rezultat të lartë 6:1.
Ndonëse vendësit zhvilluan një paraqitje për t’u dëshiruar, debati kryesor pas ndeshjes u zhvillua rreth një teme tjetër, referimit.
Gjyqtari turk Deniz Aytekin shihet si ‘prishësi’ i lojës.
Ai akordoi dy penalti të dyshimta për vendësit, mirëpo u mohoi dy të qena mysafirëve.
Fillimisht mohimi i penaltisë së parë ndodhi në minutën e 11-të të takimit, ku Julian Draxler u fut në zonë dhe në tentim për të pasuar topin, ndërhyu me dorë mbrojtësi Javier Mascherano, duke i ndryshuar kështu kahjen topit.
Penaltia e dytë që iu mohua francezëve ishte ajo në pjesën e dytë, kur Angel Di Maria u vërsul drejt portës kundërshtare, por që u pengua sërish nga Mascherano.
Madje, edhe vetë argjentinasi e pranoi pas lojës se kishte shkaktuar penalti ndaj Di Marias.
“Ishte e qartë që shkaktova faul ndaj Di Marias, por nuk mendoj se kjo është arsyeja pse u eliminua PSG-ja”, u shpreh Mascherano.
Në anën tjetër, të dyshimta ishin të dyja penaltitë e dhëna për vendësit, por gjyqtari kryesor ishte i bindur kur mori vendimet.
/Periskopi.com







