360 mijë euro për Listën Serbe, Miftaraj – Ramadanit: Vendimi nuk mund të shfuqizohet në mënyrë arbitrare
Ndarja e 360 mijë eurove për Listën Serbe, pak muaj pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, ka ngjallur shumë reagime në opinionin publik kosovar. Eksperti i sigurisë, z.Burim Ramadani, është një nga më të zëshmit që kërkon shfuqizimin e një vendimi të tillë. Por, drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, shkruan se kjo nuk mund të bëhet pa një vendim gjyqësor për shpalljen e një partie politike kundërkushtetuese.
Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, thotë se as ‘KQZ dhe as Presidenca, nuk mund ta ndalojnë në mënyrë arbitrate financimin e një partie politike që përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës’.
“Financimi i partive politike eshte i rregulluar me ligj. Ndarja e mjeteve financiare per parti politike bazohet ne fuqine politike te seciles parti politike ne baze te numrit te deputeteve ne Kuvendin e Kosoves. KQZ e as Presidenca nuk munden ne menyre arbirtrare me ndalu financimin ose ndarjen e mjeteve financiare per asnje parti politike qe perfaqesohet ne Kuvendin e Kosoves”, shkruan sot Miftaraj, përcjell Periskopi.
Ai duket se nënkupton z.Burim Ramadani, teksa flet për ‘disa ekspertë’ që po e kërkojnë këtë’.
“I kuptoj partite politike qe bejne fushate me Listen Serbe, por nuk i kuptoj disa eksperte te pavarur qe mbajne qendrime qe jane jashte rendit kushtetues dhe juridik te Kosoves.
KQZ mundet me ndalu financimin e nje partie politike vetem nese me vendim te gjykates e njejta parti politike shpallet kunder-kushtetuese dhe perjashtohet nga Kuvendi i Kosoves permes nje procesi gjyqesor. Deri sa nuk kemi nje vendim gjyqesor per shpalljen e partise politike kunderkushtetuese edhe zerat per te ndaluar financimin e partise nga KQZ nuk duhet marr shume seriozisht”, shkruan Miftaraj.
Ndërkohë, z.Ramadani, që prej kur ka dalë lajmi lidhur me ndarjen e 360 mijë eurove për Listën Serbe nga ana e KQZ-së, në vazhdimësi kërkon ‘shfuqizimin e këtij vendimi’.
Ramadani, në një nga mesazhet e fundit lidhur me këtë temë, dje shkroi:
Presidente, vepro këtë javë!
Presidentja Vjosa Osmani Sadriu duhet që gjatë kësaj jave të ndërmerr hapat institucional e Kushtetues në raport me vendimin që i dha 360,000 euro Listës Serbe.
Përkatësisht, ky vendim të shfuqizohet dhe përgjegjësia për këtë skandal të adresohet saktë!
Integriteti dhe besimi publik në institucionet e shtetit duhet të rikthehet.
Më pak se 4 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë, për të cilin Qeveria e Kosovës mbajti përgjegjës Serbinë dhe Listën Serbe, po kësaj organizate ia dhanë 360 mijë euro.
Gjithçka ka ndryshuar pas sulmit në Banjskë apo nuk ishte ky qëndrimi zyrtar i liderëve të institucioneve të Kosovës?
Ditë më parë, ai ka publikuar edhe një video-koment lidhur me këtë temë, që mund ta dëgjoni më poshtë./Periskopi/



