Murray pëson eliminim shokues në Indian Wells

Murray pëson eliminim shokues në Indian Wells

Murray, që kaloi rrethin e parë pa lojë, ishte i ngathët gjatë tërë ndeshjes kundër kanadezit Pospisil, që zë vendin e 129-të në renditjen botërore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Murray 29-vjeçar pati telashe të shumta me shërbim dhe këtë e shfrytëzoi Pospisil.

Ishte fitorja e parë e Pospisilit 26-vjeçar, në pesë përballje me Murrayn.

Ndonëse ai arriti në turneun në Indian Wells vetëm nëpërmjet kualifikimeve kësaj radhe, kanadezi prapë në një kohë kishte arritur deri në pozitën e 24-t në botë dhe kishte mposhtur dy britanikët Kyle Edmund dhe Dan Evans gjatë fitores së Britanisë në Davis Cup ndaj Kanadasë në shkurt.

“Ishte një humbje dëshpëruese, pasi kisha mundësitë në setin e parë, por nuk shërbeva mirë. Pata disa gabime të dyfishta në shërbim, ndërsa veçanërisht të shumta i pata gabimet në shërbimin e parë në momentet vendimtare. Ai definitivisht nisi të luante më mirë në setin e dytë, ishte agresiv dhe dilte në rrjetë. Luajti një lojë të mirë dhe meritoi fitoren”, ka thënë Murray.

Murray turneun e parë të këtij viti e fitoi në Dubai javën e kaluar, por forma e tij e dobët në Indian Wells ka vazhduar, pasi ishte eliminuar në rrethin e tretë vitin e kaluar. Rezultati i tij më i mirë në këtë turne ishte në vitin 2009, kur arriti deri në finale para se të ndalej nga Rafael Nadal.

Shpërndaje në: