Vetëm 3 të punësuar me sindromën down në gjithë Kosovën, diskriminohen edhe me ligje

Vetëm 3 të punësuar me sindromën down në gjithë Kosovën, diskriminohen edhe me ligje

Drejtoresha e shoqatës Down Syndrome Kosova, Sebahate Hajdini – Beqiri në një intervistë për Periskopin ka treguar vështirësitë më të cilat ballafaqohen personat me këtë sindromë dhe kjo shoqatë.

Ajo, tregon se nga 900 anëtarë që ka kjo shoqatë, vetëm 3 prej tyre janë të punësuar në biznese private, ndërsa në institucionet publike asnjë dhe konkurset e papërshtatshme të Kuvendit të Kosovës.

Hajdini- Beqiri thekson ligjet të cilat i përfshijnë personat me sindromën down nuk janë të  strukturuara mirë dhe të harmonizuara me njëra – tjetrën, derisa tregon se është iniciuar hartimin e një ligji gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.

Në këtë intervistë, Hajdini – Beqiri flet për problemet që kanë tash e dy vjet në lidhje me ndërtimin e një qendre të përbashkët  për këtë shoqatë dhe atë të atuzimit.

Periskopi: Cili është aktiviteti i shoqatës “Down Syndromë Kosova” dhe sa të anëtarësuar i ka?

Shoqata numëron mbi 900 persona me sindromën down. Personat janë të moshave të ndryshme, prej moshës zero. Ne i kemi të identifikuara foshnjat që nga momenti i diagnostifikimit me sindromën down, faktikisht ne kemi një bashkëpunim me laboratorin e gjenetikë edhe kjo po na ndihmon shumë në mbledhjen e të dhënave,  deri te anëtari më i vjetër i shoqatës.

Për momentin funksionojmë me pesë qendra regjionale: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj. Në kuadër të qendrave ne po mundohemi, po e them po mundohemi sepse është shumë e vështirë me këto kapacitet që i kemi të ofrojmë shërbime për të gjithë personat me sindromën down, mirëpo gjithmonë në mënyrë direkte apo indirekte jemi pranë nevojave të komunitetit dhe  pranë nevojave të prindërve, shpesh mbështesim prindërit në shumë procese që ata kanë nevojë, qoftë ne regjistrimin  e fëmijëve në kopshte, shkolla dhe me të gjitha sfidat që ata ballafaqohen, ne mundohemi të jemi mbrapa kërkesave të prindërve.

Periskopit: Po shënohet Dita Botërore e Sindromës Down. Gjatë viteve të ekzistencës së shoqatës “Down Syndrome Kosova”, sa është vërejtur vetëdijesim të qytetarëve për këtë kategori dhe përmirësim të kushteve për personat e prekur nga ky sindromë?

Për herë të parë Dita Botërore e Sindromës Down në Kosovë është shënuar nga shoqata “Down Syndrome  Kosova” dhe si shoqatë jemi themeluar më 04 mars 2007, ndërsa më 21 mars për herë të parë është shënuar kjo ditë. Nëse shohim nëpër vite, me të vërtetë shihet që është ngritë niveli i vetëdijes te qytetarët, kemi disa ndryshime pozitive, mirëpo ende nuk kemi realizim të të drejtave të barabarta në arsimim, edukim, shëndetësi për këta persona.

Periskopi: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohen personat me sindromën down në Kosovë?

Sfida më e madhe me të cilat ballafaqohen këta persona është sepse si shtet nuk kemi të strukturuar mirë legjislacionin që e kemi në fuqi, edhe pse kemi ligje që prekin personat me aftësi të kufizuara në fusha të ndryshme, këto ligje nuk janë të harmonizuara mirë me njëra – tjetrën. Gjithashtu nuk kemi asnjë kornizë ligjore që përkrahë fëmijët nga momenti i lindjes. Kemi ligjin që përkrahë familjet që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, ku përkrahet familja prej moshës 1 vjeçare të fëmijës deri në moshën 18 vjeçare dhe pas kësaj moshe personat me sindromën down kalojnë në skemën pensionale, e që kjo është diskriminuese sepse një person 18 vjeçar të kalojë në skemën pensionale.

Shumë telashe po na shkakton ligji mbi skemat pensionale sepse në atë moment që një person me sindromën down punësohet qoftë edhe për punë praktike, në atë  moment i ndalet ajo e mirë materiale dhe kjo është sfiduese edhe për vetë familjen sepse janë procedura nëpër të cilat duhet të kalohet dhe zgjatin shumë që prapë[ë personi me sindromën down me qenë përfitues i kësaj skeme pensionale. Ndërsa, kemi ligjin për aftësim dhe trajnim profesional që iu jep të drejtën dhe u garanton shërbime për trajnime profesionale. Mirëpo, këto dy ligje janë ndesh me njëra – tjetrën.

Gjithashtu, sa i përket trajnimit të personave me aftësi të kufizuara edhe pse kemi qendrat e aftësimit profesional në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, brenda këtyre qendrave nuk ka programe adekuate që do të bënte më të lehtë trajnimin për personat me aftësi të kufizuara.

Ne si “Down Syndrome Kosova” në tetor të vitit 2016 kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me organizatën gjermane IB, ku pjesë e kësaj marrëveshje është MPMS dhe GIZ, ku në kuadër të kësaj marrëveshje synohet të kemi programe profesionale për trajnim profesional. Nuk i kemi target vetëm personat me sindromën down, por në përgjithësi personat me aftësi të kufizuara. Ne do të fillojmë të zbatojmë këtë projekt si pilot-projekt në Prizren, duke synuar se do ta zgjerojmë edhe në qendrat tjera. Kemi menduar dhe kemi planifikuar të fillojmë me Prizrenin sepse fatmirësisht atje disponojmë një qendër më të madhe sa i përket hapësirës dhe kjo ka qenë më e përshtatshme për ne pasi kemi infrastrukturë më të përshtatshme.

Periskopi: A ka kërkuar “Down Syndrome Kosova” përmirësim të legjislacionit për personat me këtë sindromë?

Sa i përket legjislacionit ne si “Down Syndrome Kosova” kemi filluar një proces shumë të rëndësishëm  në shtator të vitit 2016 në bashkëpunim me MPMS, në kuadër të projektit të përkrahur nga TRC dhe mbështetur nga USAID, kemi iniciuar krijimin e një ligji gjithëpërfshirës. Deri tani është përfunduar koncept dokumenti. Në bazë të planit të punës të MPMS’së koncepti gjatë muajit mars është planifikuar të dërgohet në Qeveri për miratim dhe pas miratimit ne do ët fillojmë të punojmë në draftimin e projektligjit gjithëpërfshirës.

Koncepti i këtij ligji është çdo person me aftësi të kufizuara të trajtohet në bazë të llojit të aftësisë së kufizuar që ka dhe në bazë të  diagnostifikimit personi me aftësi të kufizuara do t’i ketë të garantuar edhe shërbimet në kuadër të këtij ligji.

Periskopi: A ka persona me sindromën down të punësuar në institucione publike dhe ka vështirësi në punësimin e  tyre?

Realisht është dashur që institucionet publike të jenë shembull për bizneset private sa i përket punësimit të  personave me aftësi të kufizuara. Ne si shoqatë kemi vetëm tre persona të punësuar me sindromën down dhe janë të punësuar në kompani private, jo në institucione publike.

Vlen të përmendet që para dy muajsh Kuvendi i Kosovës ka shpallur konkurs të dedikuar  vetëm për personat me aftësi të kufizuara, por pozitat në të cilat ka qenë përshkrimi i punës nuk kanë qenë të përshtatshme për personat me sindromën down dhe kështu nuk kanë pasur mundësi të aplikojnë.

Periskopi: A ka pasur raste kur personat me sindromën down kanë aplikuar për një vend pune në institucione publike e nuk janë pranuar? Me çfarë arsyetimi nuk janë pranuar?

Është hera e parë që Kuvendi i Kosovës ka shpallur konkurs vetëm për personat me aftësi të kufizuara, kështu që në institucionet e tjera nuk kemi pasur rast që kanë shpallur konkurs dhe që personat me sindromën down me pas rast me tentuar me aplikuar për pozitat e caktuara.

Periskopi: A ka përmirësim në shkollimin gjithëpërfshirës? A po hasin në vështirësi fëmijët me sindromën down që ndjekin mësimin në shkollat e rregullta?

Edhe sa i përket gjithëpërfshirës të personave me sindromën down në shkollat e rregullta end epo mbetet një proces me shumë sfida, me të cilat po ballafaqohen prindërit dhe fëmijët që janë pjesë e këtyre shkollave.

Personalisht mendoj se koncepti i gjithëpërfshirjes po mendohet vetëm si koncept që një fëmijë të jetë brenda një shkolla. Nuk mund të flasim për  një gjithëpërfishrje të mirëfilltë derisa atij fëmije në shkollën e rregullt nuk i ofrohen shërbimet  për të cilat kanë nevojë. Gjithashtu sfiduese është numri i madh i fëmijëve që janë nëpër klasa dhe është shumë e vështirë për një mësimdhënës të jetë efektiv për një fëmijë me sindromën down.

Edhe pse të drejtën e edukimit dhe arsimimit e  garantojnë ligjet që kemi ën fuqi dhe përveç ligjeve MASHT’i ka hartuar shumë strategji që garantojnë edukimin dhe arsimin e fëmijëve, jo vetëm më sindromën down , po në përgjithësi fëmijëve me aftësi të kufizuara mbete ende shumë për të dëshiruar.

Periskopi: Tash e dy vjet ka qenë në plan ndërtimi i një objekti për shoqatën “Down Syndrome Kosova” të përbashkët me Shoqatën e Autizmit. Çfarë ka ndodhur me këtë çështje?

Kanë kaluar dy vjet prej kur është mbajtur mbrëmja e bamirësisë  me qëllim të mbledhjes së fondeve për ndërtimin e qendrës së përbashkët për personat me sindromën down dhe ata me autizëm. Ne që dy vjet jemi në kontakt të vazhdueshëm, jemi duke dërguar lëresa qoftë menaxhmentit dhe asamblistë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, kemi pasur takime për t’i njoftuar për nevojat që kanë këto dy komunitete dhe nuk kemi ende asgjë më shkrim. Nga takimet që ke mbajtur është ndarë një parcelë që është pronë komunale, afër Stacionit të Autobusëve në Prishtinë. Këto ditë kemi pritur që të nënshkruajmë marrëveshjen mes Komunës dhe dy shoqatës dhe tash jemi në proces të definimit të statusit të qendrës. Deri këtu ka shkuar ky proces.

Persikopi: Gjatë këtyre dy vjetëve  a është shqyrtuar mundësia që qendra të ndërtohet në ndonjë komunë tjetër?

Kemi oferta nga Komuna e Ferizajt, nga Komuna e Gjakovës dhe për këto oferta i kemi informuar personat përgjegjës në Komunën e Prishtinës, mirëpo edhe te përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës është parë një vullnet që kjo qendër të ndërtohet në Prishtinë, duke marrë parasysh se ka një numër të madh të personave më sindromën down dhe të atyre me autizëm. Ne do të presim edhe pak, pasi kanë kaluar dy vjet dhe ndjejmë përgjegjësi ndaj secilit qytetarë që ka dhuruar për këtë projekt dhe kemi një numër të madh të shërbimeve që janë ofruar nga kompanitë private dhe atëherë nëse shohim që nuk kemi diçka definitive nga Komuna e Prishtinës, do të shohim mundësitë që këtë qendër ta ndërtojmë në ndonjë qytet tjetër./Periskopi/

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: