Ambasadori francez: E rëndësishme që draft-statuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese

Ambasadori francez: E rëndësishme që draft-statuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtetuese

Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, në një intervistë ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, situatën në katër komunat në veri të Kosovës dhe zgjedhjet lokale.

I pyetur se si do t’i vlerësonte marrëdhëniet aktuale mes Francës dhe Kosovës, Guerot thekson se asgjë nuk ka ndryshuar në “përkrahjen e vendosur dhe vendimtare të Parisit për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”.

 

 

“Kthimi i Francës në KFOR dëshmon për përkushtimin tonë për stabilitetin e rajonit dhe veçanërisht të Kosovës. Kemi kontakte të rregullta të nivelit të lartë me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, i cili së fundi vizitoi Parisin në një forum bilateral ekonomik dhe ku kishte një takim me z. Benjamin Haddad, ministër i Francës. Franca sapo ka hapur Institutin e Kulturës në Prishtinë, i cili do të punojë jo vetëm në Prishtinë, por në të gjithë territorin e Kosovës me qeverinë për të mbështetur disa projekte kyçe për zhvillimin e vendit dhe integrimin e tij evropian. Marrëdhëniet mes Francës dhe Republikës së Kosovës janë të mira dhe në rritje, pavarësisht dallimeve që kemi kur bëhet fjalë për dialogun e Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së”, thotë Guerot për Kosovo Online.

Duke folur për Asociacionin, Guerot tha se draft-statuti evropian duhet të dërgohet në Kushtetuese.

 

 

“Në veçanti theksojmë rëndësinë e Kosovës që ta dërgojë draft-statutin evropian të Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Me kolegët tanë nga QUINT-i dhe BE, ne jemi veçanërisht të kujdesshëm në lidhje me lëvizjet e reja të mundshme të njëanshme me ndikime potencialisht serioze në popullatën serbe, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe arsimit”, shton ai.

Shpërndaje në: