Selmanaj: Byroja me ligjin aktual rrezikon të kthehet në instrument persekutimi të kundërshtarëve politik

Selmanaj: Byroja me ligjin aktual rrezikon të kthehet në instrument persekutimi të kundërshtarëve politik

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se LDK nuk e mbështet ligjin aktual të Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Selmanaj ka thënë se kjo byro me ligjin aktual rrezikon “me lehtësinë më të madhe të kthehet në instrument persekutimi të kundërshtarëve politik”.

“LDK edhe në rastin paraprak e ka vënë votën pro themelimit të Byrosë, paçka se ne kishim dilemat tona sa i përket frymës së kushtetutshmërisë së atij dokumenti, e kishim edhe një rekomandim të Komisionit të Venecias. Mirëpo për fat të keq Gjykata Kushtetuese vendosi që nuk janë adresu të gjitha çështjet për të rujt sistemin kushtetues dhe institucional që kemi ndërtu në Kosovë. Tani ne kemi një draft tjetër dhe e kemi lexu me kujdes dhe themi përsëri që ky dokument është me elemente kundërkushtetuese”, ka thënë Selmanaj.

Çështja e parë sipas Selmanajt është mënyra e zgjedhjes së drejtorit që sipas tij, është atak kushtetues dhe suprimon rolin e Kuvendit.

“E para ka të bëjë me drejtorin e këtij mekanizmi. Përkundër që Komisioni i Venecias ka thënë që është mirë të mendohet për një udhëheqje kolegjiale, jo nga një person i vetëm, Qeveria insiston që të jetë një person i vetëm. Neni 16, paragrafi 16 thotë që vijnë kandidaturat në Kuvend dhe nëse eventualisht dështon herën e parë, shpallet konkursi për herën e dytë. Por çka ndodh në herën e tretë? Në herën e tretë thotë se në rast se edhe pas përsëritjes së konkursit, Kuvendi dështon në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm në dy raunde atëherë Komisioni shpall konkursin dhe zhvillon procedurat, me përjashtimin e vetëm se Komisioni në fund të procesit e zgjedh kandidatin me më së shumti pikë si Drejtor të Përgjithshëm. Kjo i bjen se suprimohet roli i Kuvendit. Dmth nëse Kuvendi nuk arrin me zgjedh Drejtorin e Byrosë, komisioni atje e zgjedh vet. Kjo është atak kushtetues i rolit të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Selmanaj në Kuvend.

Pika e dytë sipas tij është përbërja e komisiont mbikëqyrës që sipas tij e cenon rëndë pavarësinë e Byrosë.

“Elementi i dytë që e cenon rëndë pavarësinë e këtij institucioni, është përbërja e komisioniut mbikëqyrës. Këtë komision e përbën tre anëtarë që i zgjedh Kuvendi, dmth shumica e thjeshtë parlamentare. Që i bjen VV dhe Lista GUXO. Anëtari i katërt është anëtari i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit që po ashtu e zgjedh Kuvendi. Dhe anëtari i fundit është Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare që e zgjedh Kryeministri”, ka deklaruar Selmanaj.

Ndërsa pika e tretë ka të bëjë me dispozitat kalimtare që sipas tij janë antikushtetuese.

“E fundit ka të bëjë me dispozitat kalimtare. Aty thotë deri në funksionalizimin e Byrosë, funksionin administrativ të saj e ushtron Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, të cilit i ndahem mjete shtesë për kryerjen e këtij funksioni. Veprim krejtësisht i kundërligjshëm”, ka shtuar Selmanaj.

Shpërndaje në: