Izedin Bytyqi, Sekretari i MMPHI-së, lirohet nga arresti shtëpiak
Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka ndërprerë masën e arrestit shtëpiak Izedin Bytyqit, Sekretar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, i cili ishte arrestuar më 10 tetor, në një aksion që organet e rendit e kishin zhvilluar rreth keqpërdorimeve dhe dyshimeve për vjedhje multimilonëshe me borxhin e ambalazhuesve të ujit nga ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu, ku Bytyqi dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por edhe për armëmbajtje pa leje.
Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I.B., për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, ka thënë Gashi.
Gjykata Themelore në Prishtinë, vendimin për ndërprejen e masës së arrestit shtëpiak ndaj Bytyqit e ka ndërmarrë duke e aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, në mënyrë që i njëjti të mbrohet në liri.
Prokuroria Speciale e Kosovës me datë 2 dhjetor, kishte paraqitur në Gjykatën Themelore Prishtinë kërkesë për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin Bytyqi, duke theksuar se kjo prokurori ka ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të zbardhjes se kësaj çështjeje penalo-juridike.
“Andaj nga gjyqtari i procedurës paraprake është kërkuar që të ndërprehet masa e arrestit shtëpiak për të pandehurin, pasi Prokuroria konsideron se kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar kjo masë”, ka theksuar Gashi.
Ajo ka bërë me dije se është kërkuar që të njëjtit t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak dhe hetimi ndaj Bytyqit të zhvillohet në procedurë të rregullt.
“Gjyqtari i procedurës paraprake erdhi në përfundim se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës është e bazuar, për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit I.B dhe procedura penale ndaj tij do të zhvillohet në procedurë të rregullt duke u mbrojtur në liri”.
Ndryshe, më 9 tetor, Gjykata Themelore e Prishtinës ia kishte caktuar 30 ditë arrest shtëpiak Izedin Bytyqit.



