Rebelët sirianë e marrin nën kontroll edhe qytetin Deir al-Zour
Forcat rebele siriane e kanë marrë nën kontroll qytetin Deir al-Zour, duke e konsoliduar pushtetin e tyre pas kapjes së vendbanimit nga forcat kurde të mbështetura nga ShBA-ja, të cilat e kishin kontrollin e rajonit.
Ky zhvillim erdhi një ditë pasi grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS) emëroi një kryeministër të përkohshëm, Mohammed al-Bashir, i cili më parë qeveriste një territor të vogël që kontrollohej nga rebelët gjatë sundimit të presidentit Bashar al-Assad, raporton televizioni BBC.
Të martën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i paralajmëroi forcat rebele siriane që të mos e lejojnë Iranin që ta “rivendosë” veten në Siri.
Ushtria izraelite tha se kishte kryer qindra sulme ajrore në Siri që nga rrëzimi i pushtetit të Assadit, duke i vënë në shënjestër në veçanti rezervat e armëve.
Edhe flota ushtarake siriane ishte në shënjestër të sulmeve izraelite të martën si pjesë e përpjekjeve të Izraelit për t’i neutralizuar asetet ushtarake të Sirisë.



