De Biasi godet ashpër lojtarët e kombëtares

De Biasi godet ashpër lojtarët e kombëtares

Kjo ka qenë arma më e fort e kuqezinjve: një ekip pa yje të nivelit botëror si Shqipëria, i kompesonte diferencat teknike me rivalët e mëdhenj falë forcës së grupit.

Një element tek i cili trajneri Gianni De Biasi është ndalur gjatë në analizën pas ndeshjes kualifikuese të Botërorit 2018, ku Shqipëria u thye 2-0 nga Italia. “Nuk po luani më për flamur!”, ishin fjalët e drejtuesit të stolit. “Kur kjo ndodh, jemi në gjendje të përballemi si të barabartë me çdo kundërshtar. Vetëm kështu i kemi arritur sukseset”.

Deklaratë e drejtë për drejtë nga De Biasi. Një mesazh i qartë për të gjithë, se Kombëtarja vjen përpara çdo individi. Fjalë që lidhen edhe me largimet nga grumbullimi i Taulant Xhakës dhe Amir Abrashit.

Pikërisht sjellja e lojtarëve që nuk luajtën ndaj Italisë i ka lënë një shije të keqe trajnerit, i cili gjatë analizës u shpreh i kënaqur me paraqitjen e titulluarëve, ndërsa e njëjta gjë nuk mund të thuhej për ata që qëndruan në stol, përcjell Supersport.al.

De Biasi e justifikoi Abrashin me faktin që u paraqit i dëmtuar, ndërsa edhe pse Xhaka vendosi të kthehej në Bazel pa u konsultuar me askënd, trajneri e mbrojti publikisht duke thënë se mesfushori kishte probleme.

Veprimi i Xhakës nuk është pëlqyer brenda grupit, me një pjesë të madhe të lojtarëve që mbetën të befasuar nga vendimi i 25-vjeçarit. Kombëtarja kërkon të ndryshojë kurs në këto eliminatore dhe e kaluara e afërt mund ta ndihmojë. Skuadra duhet të rigjejë kompaktësinë, grintën dhe sakrificën e edicionit të kaluar dhe të gjithë lojtarët të kujtojnë se Shqipëria vjen mbi gjithçka.

Shpërndaje në: