Demarkacioni të adresohet përmes arbitrazhit ndërkombëtar – të eliminohen pengesat për vizat
Valon Muratit që nga 2007-ta është anëtar i Lëvizjes për Bashkim, ndërsa tani për tani edhe kryetar i kësaj lëvizjeje. LB-ja ka qenë pjesë e strukturave shtetërore, respektivisht pjesë e jetës parlamentare qe disa vite. Shkëputja e deputetëve të LB-s nga grupi parlamentar i LëvizjesVetëvendosje, pat shkaktuar një tronditje jo të vogël në skenën politike. Por tronditja e madhe erdhi kur LB-ja u bë pjesë e koalicionit aktual politik, që sot drejton qeverinë dhe jetën institucionale, duke qenë që nuk pritej aspak.
Është emëruar Ministër i Diasporës në seancën e Kuvendit të Kosovës të Republikës së Kosovës, e mbajtur më 8 dhjetor 2014. Ministri Murati është i martuar dhe ka dy fëmijë. Në këtë intervistë ekskluzive për Gazeta e Re ai flet rreth çështjeve aktuale si ushtria, demarkacioni, por edhe rreth diasporës, kontributit të saj në ringjalljen ekonomike në Kosovë, idealit të bashkimit kombëtar dhe shumë çështje të tjera.
GeR: z. Murati, idioma e Lëvizjes për Bashkim mbetet qëllimi i saj, synimi për bashkimin e trojeve me shumicë shqiptare, a ka mbetur kjo vetëm një parullë e shfrytëzueshme vetëm gjatë fushatave zgjedhore?
Murati: Është fakt që çështja e bashkimit të shqiptarëve, nga shumë subjekte politike, shfrytëzohet si parullë nëpër fushata zgjedhore. Por kjo nuk do të thotë që synimi është parullë, kjo do të thotë që ata të cilët e përdorin si parullë abuzojnë me një synim real. Sa i përket aspektit politik të pyetjes, është krejtësisht e thjeshtë të kuptohet që bashkimi kombëtar është synim real dhe përbën zhvillim në kahje të njëjtë me konceptin bashkëkohor të zhvillimit të shoqërisë. Trendi mbizotërues është eliminimi maksimal i barrierave të çfarëdo natyre midis shteteve, unifikimi i tregjeve dhe rritja e kohezionit midis popujve të ndryshëm. Kur ky synim, për afrimin midis popujve të Bashkimit Evropian që kanë qenë në luftë midis tyre është bërë realitet e konsiderohet si vlerë e njerëzimit, pse të trajtohet ndryshe bashkimi i një populli të njëjtë? “Kjo përbën rrezik për stabilitetin rajonal, prandaj nuk e lejojnë ndërkombëtarët” është një prej “argumenteve” që përdoret nga kundërshtarët apo skeptikët e idesë. Pikërisht, trajtimi i kësaj ideje si parullë e bën atë që të duket e rrezikshme, destruktive, ekstremiste dhe të parealizueshme. Sepse, ata që nuk e kanë synim realizimin e saj ata nuk e kanë as idenë më të vogël se si mund të realizohet ajo. Prandaj, me mënyrën se si sillen, ata e bëjnë këtë ide të duket gogol nga i cili tremben të tjerët. Pra, bashkimi kombëtar është i rrezikshëm vetëm si parullë politike, por jo edhe si projekt zhvillimor. Është e vërtetë që bashkimi kombëtar është projekt i madh, por si çdo projekt tjetër, edhe ky përbëhet nga hapa të vegjël e të përditshëm, që nuk janë as të frikshëm, as kërcënues e as të papranueshëm për të tjerët.
Rruga drejtë bashkimit kombëtar ecë nëpër dy binarë paralel. I pari është ai politiko-juridik, që nënkupton forcimin e sovranitetit të Kosovës dhe i dyti është integrimi me Republikën e Shqipërisë në të gjitha fushat e jetës që nënkupton zhvillim ekonomik, arsimor, të sigurisë, kulturor, sportiv etj. Kur të përmbushen këto dy synime, që janë synime të secilit prej nesh, jemi apo jo për bashkim, atëherë bashkimi do të mbetet çështje formale. Pra aq sa është parullë e parealizueshme forcimi i sovranitetit të Kosovës dhe integrimet me Republikën e Shqipërisë, është parullë edhe bashkimi kombëtar.
GeR: Zgjedhjet po trokasin, ndërkohë që koalicioni qeverisës pjesë e të cilit jeni edhe ju si subjekt, po përpiqet që ta shkruaj kapitullin e fundit për sa u përket çështjeve si demarkacioni dhe ushtria. Për ushtrinë, nuk besoj që keni dilema, por për sa i përket demarkacionit dikur kërkonit që kjo çështje të shkonte në arbitrazh ndërkombëtar, si mendoni që duhet të zgjidhet kjo çështje?
Murati: Duke qenë se rrethanat nuk kanë ndryshuar në këtë drejtim, pra nuk ka lëvizje nga asnjëra palë, e rrjedhimisht nuk ka ndonjë ndryshim cilësor rreth kësaj çështjeje, atëherë nuk ka arsye që të ndërrohet qëndrimi. Lëvizja për Bashkim, konsideron që më së miri është që kjo çështje të adresohet sa më parë përmes arbitrazhit ndërkombëtar, në mënyrë që të eliminohet si pengesë në rrugën e liberalizimit të vizave dhe të nxirret Kosova nga ky izolim sa i padrejtë aq edhe paradoksal. Sigurisht, duke qenë se ne ka kohë që kemi kërkuar konsensus në mes të forcave politike për këtë çështje dhe çështje të tjera me interes vital shtetëror dhe kombëtar, për ne do të ishte e pranueshme edhe një rinegociim i marrëveshjes nëse për këtë do të kishte vullnet në mes të palëve.
GeR: Nëse këta kapituj nuk mbyllen, as zgjedhjet qendrore nuk do të shmangen, sa është Lëvizja për Bashkim e përgatitur për to?
Murati: Siç e dini, ideja e krijimit të këtij koalicioni të fuqishëm ka qenë që të ketë një forcë stabile vendimmarrëse në pushtet. Nëse ky koalicion i madh nuk do të arrinte t’i përmbyllte këta kapituj, atëherë është iluzore të pritet që këtë ta bëjë ndonjë koalicion i subjekteve tjera, si rezultat i zgjedhjeve të jashtëzakonshme, kur apriori dihet qëndrimi i të gjitha subjekteve rreth këtyre çështjeve. Prandaj, duke u ndërlidhur edhe me pyetjen e mësipërme, Lëvizja për Bashkim, zgjedhjet nuk i sheh zgjidhje por shmangie prej përgjegjësisë. Mbi të gjitha ne e kemi theksuar në vazhdimësi se mbajtja e zgjedhjeve pa realizimin e reformës zgjedhore nuk do të prodhonte cilësi në përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve në institucione. Për më tepër, besoj se do të vazhdojë shtrembërimi i këtij vullneti, gjë që do të vazhdonte të dëmtonte rëndë legjitimitetin e institucioneve demokratike. Sidoqoftë, në rast të një pajtueshmërie në mes të forcave politike, ne edhe mund të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme andaj ne jemi duke e vazhduar punën tonë në organizim dhe kurdo që të mbahen zgjedhjet do të jemi të gatshëm.
GeR: A ka vija të kuqe, me cilat subjekte nuk do të bënte kurrë koalicion?
Murati: Lëvizja për Bashkim nuk ka vija të kuqe me ndonjë subjekt politik. Për koalicione vendosë, si gjithmonë, Këshilli i Përgjithshëm, i cili vlerëson të gjitha aspektet e propozimeve dhe raportit me secilin subjekt që ofron bashkëpunim.
GeR: Për sa i përket këtij mandati, për çka mendoni që do të mbaheni mend si ministër?
Murati: Në planin konceptual kam punuar që diaspora të fillojë të trajtohet si një partner në zhvillimin socio-ekonomik të vendit. Kemi realizuar shumë projekte përmes së cilave kemi dërguar në vazhdimësi mesazhin e kësaj qasjeje ndaj partneritetit me diasporën. Puna në fushën e arsimit, kulturës, aktiviteteve sportive, aktiviteteve të shumta gjatë verës, por edhe puna në përkrahjen e bizneseve nga diaspora dhe trajtimi i problemeve që ata kanë në Kosovë ka përçuar këtë mesazh. Jo vetëm që kemi ndihmuar në rritjen dhe konsolidimin e rrjeteve të bizneseve shqiptare në diasporë, por për herë të parë i kemi bërë pjesë të punës së institucioneve të Kosovës duke i bërë anëtar të Grupit për Tërheqjen e Investimeve nga Diaspora, një grup punues që udhëhiqet nga unë e që është pjesë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Procesi i regjistrimit është një sfidë për ne dhe këtë fazë të procesit unë e konsideroj të suksesshëme përkundër një buxheti të vogël me të cilin kemi operuar për një projekt aq të madh, i cili do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, tani më si regjistrim on-line. Kam punuar edhe me institucione të tjera, jo vetëm në fushën e përkrahjes së biznesit, por edhe të rritjes së efikasitetit të administratës kur janë në pyetje shërbimet për qytetarët tanë nga diaspora. Kështu kemi vendos një nivel të kënaqshëm bashkëpunimi edhe me komunat e Kosovës dhe institucionet e tjera qendrore, përfshirë Policinë e Kosovës, që të gjithë të jemi sa më të mobilizuar gjatë periudhës kur bashkatdhetarët qëndrojnë në Kosovë. Jam marrë dhe po vazhdoj të merrem me çështjen e polisës kufitare, apo Kartonit të Gjelbër dhe ndonëse ende nuk është gjetur një zgjidhje e duhur, me punën time por edhe të institucioneve të tjera të vendit, e sidomos Kuvendit të Kosovës, në vitin 2015 tarifa e kësaj polise kufitare është përgjysmuar. Gjithashtu kemi vendosur në një nivel të lartë bashkëpunimin edhe me Republikën e Shqipërisë në mënyrë që të trajtojmë bashkërisht diasporën shqiptare. Kemi nënshkruar dy marrëveshje shumë të rëndësishme, e para për arsimin dhe e dyta për aktivitetet kulturore dhe hapjen e qendrave të përbashkëta kulturore. Ndonëse ka ende sfida për realizimin e këtyre marrëveshjeve, unë jam duke bërë të gjitha përpjekjet që këto marrëveshje shumë të rëndësishme sidomos për arsimin të marrin një dinamikë reale të zbatimit.
Në vazhdën e këtij bashkëpunimi kemi qenë pjesë përbërëse e organizimit të Samitit të Parë të Diasporës në Tiranë vitin e kaluar. Gjithashtu kam punuar jashtëzakonisht që të fillojë së zbatuari projekti i kanalizimit të remitancave në zhvillimin ekonomik. Së bashku me UNDP kemi realizuar një studim fizibiliteti dhe tani jemi duke punuar që të marrim miratimin edhe në nivelet e tjera të qeverisë për të filluar me këtë projekt që në thelb krijon një skemë të re të granteve, e të cilat planifikohet të jenë grante korresponduese për diasporën në fushën e bujqësisë dhe të teknologjisë informative. Gjithashtu që dy vite kemi filluar angazhimin e studentëve të diasporës në punë praktike në institucionet e Kosovës dhe tani më këtë projekt po duam ta shtrijmë edhe në sektorin privat dhe shoqërinë civile e gjithashtu jemi duke punuar në shfrytëzimin e ekspertizës afatshkurtër nga diaspora në një pilot-projekt që po e fillojmë sivjet. Përkundër këtyre punëve jam i vetëdijshëm për mangësitë dhe nevojën që të jemi edhe më afër bashkatdhetarëve tanë. I njoh vërejtjet, i pranoj shumë nga kritikat dhe ato janë motiv shtesë për ne. Sigurisht se do të ndjehesha i lumtur, nëse me punën time dhe të bashkëpunëtorëve të mi si të stafit politik po ashtu edhe atyre të stafit civil kemi arritur që bashkatdhetarët tanë kur të vijnë në Kosovë, në çfarëdo kapaciteti që të vijnë të ndjehen mirë, të sigurtë dhe të dëshiruar.
GeR: Pra diaspora ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në aspektin ekonomik për Kosovën, por ç’është ajo që kanë bërë institucionet e vendit për të, me fjalë të tjera cilët janë hapat konkret?
Murati: Vetë fakti që diaspora jonë ka pasur nevojë të ndihmojë Kosovën, dëshmon për gjendjen e vështirë të këtij shteti të ri e në konsolidim. Megjithatë, përkundër vështirësive dhe të metave evidente e të pamohuara nga askush, Kosova çdo ditë është duke krijuar kushte për ngritjen e këtij raporti, diasporë-vendlindje, në një nivel krejtësisht tjetër. Pra, pavarësisht që edhe një kohë raporti aktual, pra i ndihmës së diasporës për Kosovën do të vazhdojë, ne jemi duke punuar që në një të ardhme raporti i shtetit të Kosovës me diasporën të jetë raport partneriteti për zhvillim dhe përfitim të dyanshëm. Ky është synimi ynë dhe në këtë drejtim janë orientuar përpjekjet tona. Ka shumë projekte që i realizojmë ne si Ministri e Diasporës, në bashkëpunim edhe me partnerët tanë. Por, ajo që duhet ta kuptojmë të gjithë ne është se diaspora jonë sot nuk është vetëm faktor që luan rol në aspektin ekonomik për vendin, por me kalimin e viteve është krijuar një potencial i jashtëzakonshëm në çdo fushë të jetës. Ata sot janë pjesë e shumë institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare, qofshin ato shkencore, politike apo financiare. E gjithë kjo ekspertizë, përbën një aset shumë të rëndësishëm për ne. Në këtë drejtim, javën e kaluar kam organizuar një takim me përfaqësuesit e biznesit në Kosovë dhe CiviKosin, me të cilët jemi pajtuar për bashkëpunim në aspektin e sjelljes së ekspertëve nga diaspora jonë në kompanitë e ndryshme dhe OJQ-të e ndryshme, me që rast ne si ministri do të subvencionojmë një pjesë të shpenzimeve për këtë. Gjithashtu kam kërkuar nga përfaqësuesit e biznesit dhe të shoqërisë civile që të bëhen pjesë e projektit tonë për të pranuar studentët e diasporës në punë praktike. Pra, mundësitë janë të mëdha, kapacitetet tona, fatkeqësisht janë modeste, por me një bashkëpunim dhe organizim të mirë, shumë gjëra të mira mund të bëhen për të gjithë ne.
GeR: Për fund, le të dalim përtej monotonisë së politikës, a keni shkruar poezi së fundi?
Murati: Fatkeqësisht shumë pak. Sidoqoftë, e kam ngushëllim, që herë pas here megjithatë së paku po lexoj poezi./Gazetaere.com/



