Izraeli me probleme para ndeshjes me Shqipërinë
Edhe pse ndeshja do të zhvillohet pas tre muajsh, trajneri i Izraelit Elisha Levy ka pezulluar dy futbollistët deri në shtator për shkak se e kishin kritikuar publikisht trajnerin sepse nuk ishin përfshirë në formacionin kryesor, në humbjen ndaj Spanjës.
“Në ditët e fundit, Ariel Harush dhe Tomer Hemed kanë shfaqur kritika publike ndaj stafit teknik, bashkëlojtarëve dhe kështu kanë dëmtuar frymën e ekipit, me këtë mënyrë aspak të drejtë. Lojtarë që nuk guxojnë kurrë të revoltohen në klubet e tyre, nuk duhet ta bëjnë këtë kurrë në kombëtare. Për këtë do të ndëshkohen”, tha trajneri Levy, transmeton tch.
Izraeli mban vendin e tretë në grupin kualifikues, me 3 pikë më shumë sesa kombëtarja shqiptare e futbollit. Vetëm vendi i parë shkon drejtpërdrejt në Botëror, ndërsa do të ketë sfida “play-off”-i për 8 vendet e dyta më të mira.



