Aktori jug-korean thyen heshtjen: Mohon akuzat se kishte pasur lidhje me aktoren Kim Sae-ron kur kjo e fundit ishte e mitur
Aktori i njohur jug-korean Kim Soo-hyun mohoi të hënën akuzat se kishte pasur një lidhje me aktoren Kim Sae-ron kur ajo ishte e mitur, duke shpërthyer në lot teksa deklaroi se nuk mund të “pranojë diçka që nuk është e vërtetë”.
Marka të njohura, përfshirë Prada-n, kanë ndërprerë bashkëpunimin me aktorin mes polemikave mbi marrëdhënien e tij me Kim Sae-ron, e cila u gjet e vdekur në shkurt në një rast të dyshuar si vetëvrasje. Ajo ishte 24 vjeçe.
Ai shtoi se një material hetues i publikuar në YouTube këtë muaj përmbante dëshmi dhe prova të rreme, përfshirë screenshot-e të mesazheve që, sipas tij, nuk mund të ishin të aktores.
“Nuk kam qenë në një lidhje me të ndjerën kur ajo ishte e mitur. Dhe nuk është e vërtetë as që ajo bëri një zgjedhje tragjike për shkak se unë i ktheva shpinën”, deklaroi Kim gjatë një konference për shtyp të hënën, duke iu referuar pretendimeve se marrëdhënia e tyre çoi në vetëvrasjen e aktores.
Avokatët e Kim Soo-hyun dhe të agjencisë së tij thanë të hënën se kanë paditur personat e përfshirë në materialin e YouTube-it për një shumë totale prej 8.15 milionë dollarë, si dhe i kanë denoncuar ata për shpifje dhe shkelje të ligjit për mbrojtjen e informacionit.
Një avokat që përfaqësonte të afërmit e Kim Sae-ron nuk ishte menjëherë i disponueshëm për koment.
Kim Sae-ron ishte një nga aktoret më premtuese të Koresë së Jugut deri në vitin 2022, kur karriera e saj u dëmtua pas një skandali ku kishte vozitur në gjendje të dehur.
Kim Soo-hyun u bë i famshëm në Korenë e Jugut dhe Kinë për rolet e tij në serialet e suksesshme koreane “My Love from the Star” dhe “Queen of Tears”.



