LDK i shkon deri në fund kallëzimit penal – Kërkon qasje për secilin ministër të Kurtit
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të nis edhe një betejë ligjore me Qeverinë në detyrë të Albin Kurtit.
Meqë, publikisht Albin Kurti dhe ministrat e tij kanë deklaruar se janë dorëhequr, por ata sërish janë kthyer në zyret e tyre – LDK ka kërkuar qasje në vendimet e tyre që nga data 27 mars 2025.
LDK përmes Qasjes në Dokumente Publike që ka siguruar Periskopi, ka kërkuar qasje në vendimet e ministrave në të gjithë ministritë e Qeverisë së Kosovës, për t’i dërguar në organet e drejtësisë.
“Shpresojmë që kjo e-mail të ju gjej mirë me shëndet dhe punët po ju ecin mbarë. Në pajtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike (LIGJI NR. 06/L-081), përkatësisht neni 1 pika 10, Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon qasje në të gjitha vendimet e ministrisë tuaj, nga data 27 mars 2025”, thuhet në kërkesën e LDK-së që e siguruar nga Periskopi.

Në lidhje me këtë çështje, dje është deklaruar edhe shefja e grupit parlamentare të LDK-së, Hykmete Bajrami.
Ajo ka akuzuar Qeverinë në detyrë se është duke i mbajtur peng institucionet dhe se janë shkelës të vazhdueshëm të Kushtetuese.
“Kryetari i Kuvendit zgjedhet në dy forma ose me marrëveshje politike ose duke sjellur një kandidatë i cili do të ishte i pranueshëm. E, ne e kemi potencuar disa herë që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka asnjë kandidatë të cilën do ta votonim. Pikë së pari për shkak të historisë së tyre. Për shkak që janë shkelësit të vazhdueshëm të Kushtetutës. Ju e keni parë edhe pas betimit që e kanë dhënë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si deputetë të njëjtit vazhdojnë të dalin në zyrë dhe i kanë marrë peng institucionet e Republikës s Kosovës”, ka thënë ajo
Bajrami ka treguar LDK do të dorëzoj kallëzim penal ndaj ministrave në detyrë.
“Për këtë duhet t’ju informoj një grup i juristëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës tani më është në proces të finalizimit të kallëzimit penal, besoj shumë shpejt, nesër, do ta dorëzojmë”, ka thënë Bajrami./Periskopi/



