Juventusi mendon për befasinë e verës – piketon Ardon Jasharin
Juventusi ka nisur të përgatitet për sezonin e ri dhe mes objektivave të merkatos është edhe mesfushori shqiptar me pasaportë zvicerane, Ardon Jashari, që aktualisht luan për Club Brugge në elitën e futbollit belg.
Sipas të përditshmes italian bardhezinjtë po ndjekin me kujdes paraqitjet e Jasharit, i cili ka qenë një nga lojtarët më konstantë të skuadrës belge gjatë këtij edicioni.
22-vjeçari ka zhvilluar plot 49 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon, duke shënuar katër gola dhe dhuruar gjashtë asistime. Mes këtyre paraqitjeve përfshihet edhe një ndeshje ndaj vetë Juventusit në Ligën e Kampionëve, që përfundoi me rezultat të bardhë 0-0 – një rast që i ka dhënë mundësi drejtuesve të “Zonjës së Vjetër” ta shohin atë nga afër, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Jashari, i cili cilësohet si një mesfushor dinamik dhe i zhdërvjellët, pavarësisht se nuk është nga më të fuqishmit fizikisht, shihet si profil që mund t’i përshtatet filozofisë së lojës së trajnerit Igor Tudor. Ky i fundit synon ta rikthejë Juventusin në garat evropiane, me prioritet sigurimin e një vendi në Ligën e Kampionëve për sezonin 2025/26.
Vlera e kartonit të Ardon Jasharit vlerësohet rreth 20 milionë euro, një shumë e ngjashme edhe me një tjetër objektiv të Juventusit për mesfushën – Johnny Cardoso i Real Betisit.
Megjithatë, interesimi për Jasharin nuk vjen vetëm nga Torino. Disa klube të tjera evropiane kanë shprehur interesim për talentin zviceran, çka mund ta komplikojë garën për shërbimet e tij në verë.
Do të jetë interesante të shihet nëse Juventusi do të bëjë hapin e radhës konkret në javët që vijnë, për ta afruar Jasharin si një nga përforcimet kyçe të merkatos./Periskopi/



