Rikthehen problemet për rinovimin e Vinicius-it, Real Madrid-i ofron pak para
Ditët e fundit, Real Madrid-i ka bërë bujë në fushë, por edhe jashtë saj. Humbja kundër Barcelona-s të dielën e kaluar në El Clasico ishte pika e fundit. Që atëherë, gjuhët janë liruar dhe shumë informacione kanë qarkulluar në shtyp.
Shumë shpejt, morëm konfirmimin se Carlo Ancelotti, i cili u emërua trajner i Brazilit, do të zëvendësohej nga Xabi Alonso. Spanjolli, i cili do të ketë të drejtë për tre nënshkrime të reja, do të vijë për të udhëhequr ekipin gjatë Kupës së Botës për Klube.
Situata te Real Madrid-i nuk është e qehtë dhe kjo tashmë është e dukshme pas një sezoni pa një trofe të madh.
Rodrygo nuk do të mbahet më nga “Merengue”-t, të cilët kërkojnë rreth 100 milionë euro për ta lënë të lirë. Pesë klube të mëdha janë tashmë pas brazilianit.
Prandaj, ai pritet të jetë ylli i sakrifikuar nga Florentino Perez-it dhe bordit të tij, të cilët preferojnë të vazhdojnë me Jude Bellingham, Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior. Lidhur me këtë të fundit, pas muajsh pasigurie dhe interesi të fortë nga Arabia Saudite, një zgjatje e kontratës ishte në plan.
Madje, gazeta spanjolle, “AS”, shpjegoi disa ditë më parë se ai duhet të marrë rreth 20 milionë euro neto në vit, ose 100 milionë euro gjatë 5 viteve. Gjë që do ta bënte atë lojtarin më të paguar në ekipin e madrilen përpara KM9, raporton Albanian Post, transmeton Periskopi.
Por këtë të mërkurë, “Marca”, gazeta tjetër spanjolle me bazë në Madrid, zbuloi informacione të reja mbi këtë temë.
Gazeta iberike shpjegon se zgjatja e kontratës së brazilianit nuk është finalizuar, ndryshe nga ajo që u njoftua javët e fundit.
Në fakt, megjithëse të dyja palët po kanë një shkëmbim pozitiv, paga e kërkuar nga lojtari dhe agjentët e tij nuk u përshtatet drejtuesve të Real Madrid-it. Flitet për rreth 30 milionë euro në sezon.
Për më tepër, sezoni i brazilianit, i konsideruar i dobët nga një këndvështrim individual nga klubi i tij, nuk ndihmon. Ashtu si sjellja e tij në fushë ose mirëkuptimi i tij me lojtarë të caktuar të ekipit, gjë që nuk është shumë e mirë. E gjithë kjo peshon në peshore, edhe nëse ideja sot është të vazhdojnë së bashku.
Megjithatë, “Marca” shton se përfaqësuesit e Vinicius-it po i mbajnë të gjitha dyert hapur dhe po vazhdojnë të diskutojnë paralelisht me Arabinë Saudite në mënyrë që të marrin një ofertë shumë të madhe nga një klub atje.
Kjo mund t’i japë brazilianit një pozicion rezervë në rast mosmarrëveshjeje me Real Madrid-in ose të ushtrojë presion mbi “Merengue”-t për t’i ofruar atij atë që ai po kërkon.
Telenovela është rikthyer në kulmin e saj./Periskopi/



