LDK: Kriza është pasojë e paaftësisë së partisë së parë, ftojmë gjitha partitë të mbështesin idenë për qeveri gjithëpërfshirëse

LDK: Kriza është pasojë e paaftësisë së partisë së parë, ftojmë gjitha partitë të mbështesin idenë për qeveri gjithëpërfshirëse

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalur me një komunikatë pas mbledhjes së Kryesisë, ku edhe u diskutua për ngërçin politik në vend, shkruan Periskopi.

Sipas LDK-së, çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve është dëm për interesin e qytetarëve dhe cenon rëndë rendin kushtetues institucional të vendit.

Derisa ritheksuan se propozimi i LDK-së për një qeveri gjithpëfshirëse kalimtare, për zgjidhjen e krizës është më i përshtatshmi dhe i shërben interesit të vendit.

 

 

Njoftimi i plotë:

Deklaratë politike e përbashkët e Kryesisë së LDK-së dhe e Grupit parlamentar
Prishtinë, 15 maj 2025
Sot, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku morri pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, në përpjekjen për të gjetur zgjidhje për të dalë nga kriza politike dhe institucionale tre mujore e vendit. Pa Kuvend, pa qeveri funksionale; pa drejtim; dhe si rrjedhojë – pa përgjigje për brengat e qytetarëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron obligim politik, moral dhe kushtetues të paraqesë qartazi vizionin dhe qëndrimin politik për tejkalimin e krizës aktuale.
Kriza është pasojë e paaftësisë së partisë së parë për të krijuar shumicën parlamentare, zgjedhjen e kryetarit dhe konstituimit të Kuvendit.
Çdo përpjekje për të funksionalizuar institucionet pa një shumicë të tillë nuk është tjetër veçse përpjekje për të imponuar arbitrarisht dëshira politike partiake mbi realitetin politik. Së këndejmi, insistim kokëfortë dhe me vetëdije për të përsëritur procesin e dështuar për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit për herën e gjashtëmbëdhjetë, nuk jep asnjë zgjidhje.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja e tanishme nuk mund të vazhdojë deri në pafundësi. Çdo vonesë në ndërtimin e institucioneve, çdo ditë me një qeveri në detyrë që vepron përtej kompetencave kushtetuese, deri në shkelje të rënda penale, është dëm për interesin e qytetarëve dhe cenon rëndë rendin kushtetues institucional të vendit.
Me qëllim të zgjidhjes së krizës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë propozimin për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kalimtare, me mandat dhe detyrime të përcaktuara qartë. Kryesia e LDK-së vlerëson se propozimi i LDK-së për zgjidhjen e krizës është më i përshtatshmi dhe i shërben interesit të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përgjegjshme, do të sillet me maturi në drejtim të zgjidhjes së krizës.
Lidhja Demokratike e Kosovës fton të gjitha partitë politike që të mbështesin idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse kalimtare, si rruga më e mirë të zgjidhur krizën e thellë.

Shpërndaje në: