Zyrtarizohet lëvizja, Xabi Alonso rikthehet te Real Madrid si trajner i parë

Zyrtarizohet lëvizja, Xabi Alonso rikthehet te Real Madrid si trajner i parë

Real Madrid ka konfirmuar emërimin e Xabi Alonso-s si trajneri i ri i ekipit të parë ndërsa kontrata e tij do të jetë e vlefshme deri më 30 qershor 2028.

Alonso do të prezantohet zyrtarisht më 26 maj, në orën 12:30 në ambientet e klubit në “Santiago Bernabéu”, duke shënuar një kthim të shumëpritur në kryeqytetin spanjoll.

Klubi i bardhë njoftoi lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson rëndësinë e kësaj figure legjendare për Real Madridin dhe futbollin botëror.

Xabi Alonso ka mbajtur fanellën e Real Madridit në 236 ndeshje zyrtare gjatë periudhës 2009-2014.

Gjatë kësaj kohe, ai fitoi gjashtë tituj të rëndësishëm: Kupën e Dhjetë Evropiane në Lisbonë, një Superkupë Evropiane, një titull La Liga, dy tituj të Kupës së Mbretit dhe një Superkupë Spanjolle.

Gjithashtu, Alonso është një legjendë e ekipit kombëtar spanjoll, me të cilin ka fituar Kupën e Botës në 2010 dhe dy Kampionate Evropiane në 2008 dhe 2012, duke u paraqitur në 113 ndeshje ndërkombëtare.

Pas karrierës së tij si lojtar, Alonso nisi punën si trajner në akademinë e të rinjve të Real Madridit, duke drejtuar ekipin U14 A në sezonin 2018-2019 dhe fituar Ligën dhe Turneun e Kampioneve.

Ai bëri histori më pas te Bayer Leverkusen, ku në tre sezone fitoi Ligën, Kupën dhe Superkupën e Gjermanisë, duke u afirmuar si një nga trajnerët më të mirë të brezit të tij.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, do ta mirëpresë Alonso-n në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të kontratës, e cila do të lidhë trajnerin me klubin për tre sezonet e ardhshme.

Pas prezantimit, Xabi Alonso do t’u përgjigjet pyetjeve të mediave në konferencën për shtyp./Periskopi/

Shpërndaje në: