Fmitë post-albanologjikë

Fmitë post-albanologjikë

Shkruan: Ismail Tasholli

Pushteti i Kurtit na e nxori purrinin – t’keqtit – si shoqni. Na i shpërtheu cevat e kanalizimit ku qarkullojnë mbetjet, na i qiti veset e zeza mi asfalt, skuriel.

Na u “prishën” edhe familjet; paramendo, u ba kallap m’i matë tezet, hallat e dajtë sa janë me pushtetin a opozitën, me demek, sa vlejnë e sa s’vlejnë…

Po flas kapak në vetën e parë, se qysh thotë Luhmann’i në ni intervistë: nuk mundesh me folë për shoqninë tu dalë jashtë saj. Pak a shumë si “paralajmërimi” i Wittgenstein’it – që nuk mundesh me dalë jashtë gjuhës e me folë për gjuhën.

Me ni fjalë: krejt jemi pjesë e kësaj MASKARADE – kush ma shumë, kush ma pak, kush ma herët, kush ma vonë.

Por, ni rrezik shumë i madh po i sillet mi kry qytetarisë tonë: fantazma e pushtetit për me relativizu gazetarinë, si pjesë strategjike dhe nevojë për zgjedhje.
Për me hup tragun e flliqnive të tyne, shpesh i quajnë mediat kritike si “opozitare”, “antikombëtare”, “të huja”, “agjenda të paguara”…

Synimi shihet prej avioni: që qytetarët të mos i besojnë ma mediave që raportojnë fakte të kqija për pushtetin. E këtë po e zavendësojnë me dresurë akulturore – krijimi i mediave të kontrolluara ose të afërta me pushtetin, që promovojnë narrativën zyrtare tu prodhu lajme alternative, shpesh të pasakta. Ni lloj kaosi informativ. TIPIKE për qeveri t’lodhta për toke që kanë veç agjenda IDEOLOGJIKE. Abuzim radikal me gjuhën. E pasoja është: që kërkush mos me pasë të drejtë. D.m.th.: HUTIMI.

Është e vërtetë se mediat te na topallojnë, siç topallon AKADEMIA, siç topallojnë fakultetet e profesorat, qysh topallojnë institutet, siç topallojnë publicistat, siç topallojnë mjeshtrat e shpive që s’ka shansa pa t’lanë diçka keq, siç topallojnë automekanikat. Por ky është njeri kosovar, HOMO IMPROVIZATORI. Kena improvizu shumë për me mbijetu dhe kjo na u ka kthy në ves “mardhëniesh”. Improvizimi vjen ni ditë me logjikën e fajdeve, krejt investimet e “gabume” vjen t’i merr. Të thotë që çka keni shkru dej tash – shumica – s’është kanë shkencë. Është kanë mrena kumtit poetik, pak a shumë: “Zoti që ju folke veç shqip mrena historisë”, është kanë HISTERI prej ndikimeve “albanologjike”, ka qenë fore e “nevojave” t’kohës.

Nëse mrrijmë në këtë stad, ku QYTETARIA S’KA PYETJE, dyshime, kritika për PUSHTETET (krejt çka quajmë civilizim perëndimor); nëse s’mrrijmë me kriju “komunitete” të përhershme – jo me KORRESPODENCË – që ja prishin rahatinë qeverive, por në vend të kësaj e marojmë INTELEKTUALIN e të vërtetave ZYRTARE, kena shku poshtë si shoqni. Kena ra në provimin e PISA’s së “kulturimit”.

Pse nuk dolëm hala e metëm për më shumë se dy dekada brenda “mendësisë albanologjike” të spjegimit të botës, brenda kategorive folklorike të ni kiçi politik, nuk e di. Ka shumë perspektiva spjegimi. Por prefiksi Post mbeti si zgjatim i variacioneve “albanologjike”, mimikerisht kritike, por jo si “shkëputje” nga ni kohë që ju ka kry ora.

Pasojat ja shohim më vonë, fmive post-albanologjikë.

Shpërndaje në: