Do të kandidoj prapë, nuk e di sa të papunë i kam në komunën që udhëheq
Kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi edhe pse nuk e di sa qytetarë të komunës që udhëheqë janë të pa punë, në një intervistë për Periskopin ka thënë se tashmë të rijnëve të kësaj komune po u krijohen vende të punës.
Ai, ka treguar se do të kandidojë edhe për një mandat tjetër për të qenë të krye të kësaj komune.
Gashi ka treguar se a po implementohet Ligji për Obiliqin dhe pritshmërinë e tij nga ky ligj, duke përmendur edhe projektet për të cilat pret mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.
Gashi i cili vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), edhe për mbajtjen ne Francë të liderit të partisë, Ramush Haradinaj.
Ai, tregon se a ka bërë mjaftueshëm Qeveria e Kosovës për këtë çështje.
A do të kandidosh edhe zgjedhjet e ardhshme, kur dihet se mbahen këtë vit?
Më lejoni të ju them që edhe para tri viteve kur kam kandiduar për Kryetar, ka qenë iniciativë e shumë qytetarëve të Obiliqit, subjektit tim politik pastaj një shtytje e madhe edhe nga familja. Aktualisht jemi duke punuar jashtëzakonisht mirë, është krijuar një frymë e mirë e punës dhe bashkëpunimit, jemi duke punuar në shumë projekte, sidomos tani implementimi i Ligjit për Obiliqin lypë angazhim të madh, këto dhe kërkesa të shumta të qytetarëve për të vazhduar me qeverisë me komunën më kanë bërë që të rikandidoj për një mandat tjetër.
Cilat premtime që i ke bërë në fushatë janë realizuar, e në cilat po ke vështirësi?
Janë disa premtime që ne i kemi përmbushur në tërësi, disa jemi në proces dhe vetëm dy nga pesëmbëdhjet premtimet e mëdha që i kemi bërë në fushatë nuk kemi arritur t’i fillojmë. P.sh., kemi arritur ta përmbushim premtimin e furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e fshatrave Breznicë dhe Kozaricë, ta themelojmë Drejtorinë për Bujqësi, në vazhdimësi i kemi mbështetur bujqit në sfera të ndryshme, kemi arritur të ndajmë bursa për studentë dhe nxënës të shkëlqyeshëm të shkollave të mesme, kemi arritur ta funksionalizojmë palestrn sportive “Adem Jashari”, kemi arritur që në vazhdimësi të mbështesim të rinjët në aktivitete kulturore. Kemi arritur të ndërtojmë rreth-rrotullimin te Instituti i Mjekësisë së Punës së bashku me trotuar dhe ndriçim, kemi filluar me kontrollat sistematike të nxënësve, kemi arritur të krijojmë rripin e gjelbrimit (4162 drunjë), kemi filluar me projektin e ndërtimit të urës mbi lumin Sitnica, kemi filluar ndërtimin e shtëpisë së kulturës. Nga buxheti komunal kemi ndarë mjetet për ndërtimin e shkollës fillore në fshatin Lajthishtë, së shpejti pritet të fillohet me ndërtimin e saj, kemi ndërtuar një shtëpi për të moshuarit, jemi duke punuar shumë në ndërtimin e rrjetit të ndriçimit të ri publik. Ju njoftojmë që kur kemi ardhur në komunë kemi gjetur vetëm 29 drita, tani kemi mbi një mijë sosh dhe për këtë vit planifikojmë mbi një mijë të tjera. Kemi asfaltuar 48 rrugë deri tani që në km i bije afër 20 km. Kemi ndërtuar rrjet të ri të kanalizimit fekal dhe atmosferik, kemi ndërtuar me dhjetra kilometra trotuar, kemi arritur t’i trajtojmë të gjitha shkollat e mesme, fillore dhe ato të nivelit parashkollor varësisht prej kërkesave që kemi pasur nga kolektivi i shkollave, duke ndërtuar terene sportive, anekse të shkollave, ndërtim të hyrjeve, sistem të ngrohjeve etj. Në fushën e shëndetësisë kemi arritur të investojmë në të gjithë objektet shëndetësore, të rrisim cilësinë e shërbimeve, njëkohësisht të ofrojmë shërbime shëndetësore të cilat më parë nuk janë ofruar në komunën tonë. Për fund vlenë të përmenden investimet që është duke i bërë KEDS-i në komunën tonë, ku deri tani ka vendosur 21 trafo të reja elektrike, dhe ka arritur që të shtrijë rrjet të ri elektrik gati në të gjitha pjesët ku kemi pasur ankesa nga qytetarët.
A keni mbështetjen e Qeverisë në realizimin e projekteve?
Natyrisht që kemi përkrahje nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe për këtë i falënderojmë jashtëzakonisht shumë.
Në çka beson konkretisht që do ju përkrah Qeveria, a do tentoni që të rritet buxheti i Komunës që drejtoni?
Ndërtimin e urës mbi lumin Sitnica është duke e bërë Ministria e Infrastrukturës, pastaj ndërtimin e shtëpisë së kulturës jemi duke e bërë së bashku me Ministrinë e Kulturës, së fundmi kemi filluar edhe me ndërtimin Qendrës së Regjistrimit Civil. Këtë projekt është duke e realizuar Ministria e Punëve të Brendshme. Po ashtu palestra sportive është ndërtuar nga Ministria e Kulturës., nga kjo del që si komunë kemi një bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës.
A ka të interesuar për investime në Obiliq?
Vitin e kaluar Kryeministri i Republikës së Kosovës kishte nxjerrur një vendim me të cilin parashihte të ndihmohen komunat e vogla që kanë probleme buxhetore. Me këtë vendim, si komunë kemi përfituar një shumë prej mbi 700 mijë euro.
Komuna e Obiliqit ka shpallur Zonën Industriale, e kemi bërë kërkesën në ministri për ndërrimin e destinimit të asaj toke nga toka bujqësore në tokë ndërtimore dhe jemi duke pritur përgjigjen e tyre, pra gjithçka që ka qenë në kompetencë të komunës është përmbushur. Gjatë kësaj kohe kemi pasur të interesuar për investime por që për shkak të procedurave nuk kemi arritur ta jetësojmë.
Sa të papunë janë në komunën që drejton, çfarë po bëni që të ulet numri i tyre?
Nuk kemi të dhëna të sakta për numrin e të pa punëve në komunën tonë. Gjatë këtyre tri viteve kemi pasur bashkëpunim të mirë me bizneset që operojnë në territorin e komunës sonë, përmes zyrës për punësim social kemi punësuar shumë të rinjë në këto biznese, vlenë të përmendet bashkëpunimi me fabrikën e tjergullave “Apollonia”, pastaj në KEDS janë punësuar mbi 40 nxënës pas përfundimit të shkollës, krejt kjo falë bashkëpunimit të mirë ndër institucional. Ligji për Obiliqin krijon mundësi të mira punësimi në KEK, ku në kushte të barabarta, përparësi punësimi do të kenë banorët e Obiliqit. Muajt në vijim presim nga KEK-u që të shpallë një konkurs ku do të mund të punësoheshin edhe qytetarët e Obiliqit.
A mendoni se institucionet e Kosovës kanë bërë mjaftueshëm në lidhje me ndalimin e Haradinajt në Francë?
Fillimisht ne vlerësojmë që ndalja e Ramush Haradinajt në Francë është veprim i padrejtë i organeve të shtetit francez. Institucionet e Republikës së Kosovës, problemin e listave do duhej ta fusnin në dialog dhe ta kushtëzonin shtetin serb me tërheqjen e këtyre aktakuzave, njëkohësisht të shfrytëzohën të gjitha rrugët diplomatike që përmes Brukselit dhe Uashingtonit të zgjidhet ky problem që sot e ka atakuar Kryetarin Ramush Haradinaj e nesër mund të jet dikush tjetër nga ish-pjestarët e UÇK-së.
Pak kohë pasi është miratuar projektligji për Obiliqin ju pati shkruara se edhe është dekretuar nga presidenti. Javë më parë deputeti Besim Beqaj ka thënë se ky ligj nuk është funksional. Si qëndron kjo çështje?
Ligji për Obiliqin është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më datë; 30.11.2016. Miratimi i këtij Ligji ishte bërë nga 72 deputet që kanë marrë pjesë në votim, duke mos pasur asnjë kundër dhe as abstenim. Neni 80 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës e përcakton qartë procedurën e miratimit dhe hyrjes në fuqi të një Ligji. Ligji i miratuar nga Kuvendi, nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë (8) ditësh pasi ta ketë marrë ligjin. ( Neni 80, pika 2, faqe 51. Kushtetuta e Republikës së Kosovës). Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.( Neni 80, pika 5, faqe 51. Kushtetuta e Republikës së Kosovës). Ne vlerësojmë që pika 5 e këtij neni flat qartë që Ligji për Obiliqin është funksional. Po ashtu nëse hyni në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës, e hapni Ligjin për Obiliqin, aty shkruan: “Është shpallur me dekretin e Presidentit të Republikës së Kosovës, 22.12.2016. Për të mos e zgjatur më shumë, ne ju njoftojmë që për këtë të premte (31.03.2017 ora 9:00), kemi marrur ftesën nga Ministria e Ambientit për të qenë pjesë e grupeve punuese për hartimin e akteve nënligjore të Ligjit për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit dhe Rreth tij. Pra nëse një Ligj nuk është funksional, si ka mundësi që të hartohen akte nënligjore??



