R. Kelly u shtrua në spital pas mbidozës në burg, avokati pretendon se ishte tentativë vrasjeje

R. Kelly u shtrua në spital pas mbidozës në burg, avokati pretendon se ishte tentativë vrasjeje

Avokatët e R. Kelly kanë dorëzuar dokumente të reja në gjykatë, ku pretendojnë se këngëtari dhe i dënuari për trafikim u dërgua me urgjencë në spital pasi pësoi një mbidozë medikamentesh në burg.

Sipas tyre, 58-vjeçari u rrëzua të premten në Institutin Federal Korrektues në Butner, Karolinën e Veriut, dhe më pas u transportua në spitalin e Universitetit Duke.

Në dokument thuhet se Kelly ishte vendosur në izolim më 10 qershor dhe i ishte dhënë një medikament nga stafi i burgut, së bashku me udhëzime për ta marrë.

Më 13 qershor në mëngjes, ai është ndjerë i përgjumur dhe me marramendje. Ai ka tentuar të ngrihet, por ka rënë përtokë dhe më pas ka humbur ndjenjat, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Kelly më pas është transportuar me barrelë në spital, ku sipas avokatëve të tij, u zbulua se i ishte administruar një sasi e rrezikshme ilaçesh.

Ai qëndroi i shtruar për dy ditë. Gjatë rrugës për në spital, thuhet se një oficer i burgut u shpreh: “Kjo do të hapë një kuti të re me probleme”.

Ky zhvillim pason një kërkesë urgjente të avokatëve të Kelly, të cilët pretendojnë se tre zyrtarë të burgut kishin organizuar një komplot për ta vrarë atë përmes një të burgosuri tjetër.

Ata kërkuan që Kelly të kalojë në arrest shtëpie, por prokurorët federalë e kundërshtuan me forcë këtë kërkesë.

R. Kelly është dënuar në vitin 2021 me 30 vite burg për trafikim seksual dhe shfrytëzim të të miturve, ndërsa në vitin 2022 mori edhe një dënim shtesë prej 20 vitesh për prodhim të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë dhe joshje të të miturve, i cili do të kryhet njëkohësisht me dënimin aktual./Periskopi

Shpërndaje në: