Pas rekomandimeve nga Avokati i Popullit, BQK largon dispozitat e paligjshme nga rregullorja për Bonus-Malus

Pas rekomandimeve nga Avokati i Popullit, BQK largon dispozitat e paligjshme nga rregullorja për Bonus-Malus

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) iu ka përgjigjur pozitivisht rekomandimit të Zyrës së Avokatit të Popullit, për paligjshmërinë e pesë dispozitave në rregulloren për Bonus-Malus.

Në mbledhjen e fundit të Bordit të BQK-së, rregullorja është ndryshuar sipas rekomandimeve nga Avokati i Popullit. Konkretisht janë larguar pesë dispozita që ishin në kundërshtim me rregullativen ligjore pasi u gjet se kufizionin të drejtën e ngasësve të automjeteve në Kosovë për marrjen e bonuseve apo uljen e tarifës për sigurim të veturës.

Njoftimi për ndryshimin e rregullores është publikuar edhe në uebfaqen e BQK-së, ndërsa burime të afërta me këtë proces thonë se janë larguar të gjitha dispozitat problematike sipas rakomandimit të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, në një raport të mëhershëm, kishte ‘rrëzuar’ pesë dispozita të Rregullores së BQK-së për sistemin Bonus-Malus, e cila u gjet se kufizonte të drejtën e ngasësve të automjeteve në Kosovë për t’i realizuar bonuset me rastin e regjistrimit të veturave.

Rregullorja e vjetër për Bonus-Malus kishte pësuar ndryshime në vitin 2020 nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke e lidhur realizimin e bonuseve për ngasësit e automjeteve me afatet për regjistrim të veturës. Ndërkohë, Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, e thotë qartë se bonuset përfitohen vetëm në rastet kur policëmbajtësit nuk shkaktojnë aksidente në afatin një vjeçar të policës.

Rastin – Avokati i Populli kishte filluar ta trajtonte pas një ankese nga një qytetar, ndërsa një hulumtim i zgjeruar për këtë rast është publikuar në Buletini Ekonomik, në muajin shtator të vitit të kaluar.

Sipas gjetjeve nga hulumtimi, dyshohet për ndërhyrje të grupeve të interesit në Bankën Qendrore të Kosovës, në kohën kur ndodhën këto ndryshime. Rregullorja e vjetër kishte pësuar ndryshime vetëm në nenin 4, ku u shtuan pesë dispozita, derisa të gjitha nenet tjera mbetën të pandryshuara.

Në raportin e Avokatit të Popullit në lidhje me ndryshimin e nenit 4 të Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, thuhej se ndërlidhja e realizimit të bonuseve me afatet për regjistrim të veturës, ishte e paligjshme.

“Avokati i Popullit, duke pasur parasysh përcaktimet e rregullores në nenin 4, paragrafët 6,7,8,9 dhe 10, ka vërejtur se pronarëve të mjeteve të cilët gjatë vitit të sigurimit nuk kanë shkaktuar asnjë dëm, mirëpo në vitin pasues nuk i regjistrojnë veturat, sipas kohës së përcaktuar në nenin 4, paragrafët 6,7,8,9 dhe 10, përveçqë nuk u zbatohet sistemi i bonusit (uljes së pagesës së sigurimit), ndaj tyre shqiptohet malusi (ngritja e çmimit të sigurimit)”, thuhej në raport.

Në raport konstatohej se në Republikën e Kosovës ekziston një sistem i rregullave që i rregullojnë çështjet e automjeteve, rregullave të trafikut rrugor dhe sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Sipas këtyre rregullave, regjistrimi i automjeteve është detyrim ligjor, në mënyrë që mjetet të kenë të drejtë të dalin për qarkullim në trafik.

Avokati i Popullit në raport konsideron se është përgjegjësi e Policisë së Kosovës të mbikëqyrë qarkullimin e mjeteve në trafik dhe veprojë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në raste kur hasen mjete të paregjistruara në trafik. Mirëpo, kjo në asnjë rast nuk i jep të drejtë rregullatorit që ta ndërlidhë realizimin e bonuseve për ngasësit e automjeteve me afatet për regjistrim të veturës.

Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë Bonusin ose Malusin. Pra, një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë Bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë Malus.

Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion. Sipas ekspertëve të sigurimeve, kështu e parasheh edhe praktika ndërkombëtare në të gjitha vendet e botës. Por, rregullorja paraprake e hartuar nga BQK, e cila është në fuqi që nga viti 2012, pësoi ndryshime në korrik të vitit 2020. Zbatimi i këtij sistemi më pas ishte zgjeruar edhe për rastet kur shoferët vonohen në përtëritjen e kontratës për sigurim të veturës.

Sipas dokumenteve që posedon Buletini Ekonomik, dëmi ndaj policëmbajtësve në Kosovë vlerësohet deri në 20 milionë për këto pesë vite. /Buletini Ekonomik/

Shpërndaje në: