Adnan Rrustemi i VV’së vazhdon të sulmojë partitë ish-opozitare përmes Listës Serbe, “harron” se në KQZ kishte votuar PËR regjistrimin e saj si parti politike
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, që s’arriti të bëhej sërish deputet është përpjekur të sulmojë partitë ish-opozitare.
Për ta bërë këtë, Rrustemi ka përdorur “Listën Serbe”, por ka “harruar” arkivën e tij si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe votën e tij PËR regjistrimin e Listës Serbe si parti politike në Kosovë, që kryesohej nga Slavko Simiq.

Periskopi ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së largët të KQZ-së, të mbajtur para 7 vitesh, në 12 maj 2017.
Ky procesverbal, e nxjerrë “lakuriq” Rrustemin dhe partinë e deputetit, Albin Kurti.

Madje, Rrustemi, si përfaqësues i LVV-së dhe Nenad Rikalo, si përfaqësues i Listës Serbe të Slavko Simiqit, kishin shprehur qëndrim të njejtë kundër që një iniciativë tjetër politike me emrin “LISTA SERBE” të regjistrohej.
Asokohe, Aleksandër Jabllanoviq, i përjashtuari nga Lista Serbe që udhëhiqej nga Slavko Simiq, kishte aplikuar për regjstrimin e një subjekti me emrin e njejtë, “LISTA SERBE”, por ishte kundërshtuar nga Rrustemi dhe Rikalo.
Jabllanoviqi kishte dështuar të regjistrojë partinë e tij me emrin “LISTA SERBE” dhe më vonë ishte paraqitur me një parti tjetër.
Çuditërisht, Lista Serbe dhe partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, që deri në atë kohë funksionin vetëm si iniciativa qytetare, morën statusin e Partive Politike në të njejtën mbledhje të KQZ-së.
2017 – Vetëvendosje mbështet regjistrimin e Listës Serbe
Në 12 maj të vitit 2017, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbështetur publikisht regjistrimin e Listës Serbe si parti në Kosovë.
Përfaqësuesi i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ishte orvatur gjerë e gjatë në mbledhjen e KQZ-së për të gjetur arsyet se përse regjistrimi i partisë Lista Serbe, që Vetëvendosje e llogariste si zgjatim të Beogradit, nuk paraqet asnjë problem për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Rrustemi, për të mos dalë kundër regjistrimit të Listës Serbe, kishte zhvlerësuar krejtësisht rolin e KQZ-së në regjistrimin e partive politike në Kosovë. Për të mbështetur këtë, ai kishte renditur arsyet.
“E para, KQZ nuk ua miraton statutet partive politike. Ne, nuk miratojmë statuet, sepse ato janë dokumente të brendshme të partive…Mënyra qysh ne po i trajtojmë statutet, nënkuptohet kështu sikur ne ua miratojmë…Për mua, tha z. Rrustemi, zyra duhet të sigurohet që statuti, i përmbanë të gjitha aspektet që rregulla i kërkon për organizimin dhe funksionimin e një partie… Pra, ne nuk e shikojmë çdo germë, çdo fjalë…Unë, tha ai, për nenin kontestues që e ka kjo iniciativë mund të mos pajtohem, mund të pajtohem, mund të mos e kem të aqrtë, mund ta kemë…etj., mirëpo, kjo nuk prodhon asnjë efekt juridik…”, deklaronte Rrustemi.
Në fund, Rrustemi kishte dhënë votën e tij ‘PËR’ regjistrimin e Listës Serbe si parti në Kosovë, me numrin rendor.
“E dyta: cili është roli juridik i KQZ në regjistrimin e partive politike…? Këtë, e tha z. Betimi, por nëse e shohim ligjin, regjistrimi duhet të bëhet me koncensus, dhe vetëm kur s’mundet fare, me 2/3. Por, ishte dashur të shterreshin të gjitha shqyrtimet, sado që ka edhe të tjera instanca. Ligji, edhe s’jep shumë hapësirë…Unë, jam për, sado që nuk pajtohem me aspektin politik, por juridikisht nuk e kundërshtoj…

Rrustemi i VV-së dhe Rikalo i LS-së kundërshtojnë regjistrimin e iniciativës së Aleksandër Jabllanoviqit.
Në të njejtën ditë si Slavko Simiq, në 4 prill 2017, edhe Aleksandër Jabllanoviq kishte dorëzuar aplikimin për regjistrimin e partisë politike. Slavko Simiq e kishte emëruar “GRAÐANSKA INICIJATIVA SRPSKA LISTA-GiSL”, kurse Aleksandër Jabllanoviq e kishte emërtuar subjekin e tij “SRPSKA LISTA-SL”.
Në procesverbalin e mbledhjes së KQZ-së, Rikalo mbështeste regjistrimin e partisë së kryesuar nga Slavko Simiq. Njejtë kishte bërë edhe Rrustemi. Madje, sipas këtij procesverbali, Rrustemi tregon se ai kishte komunikuar me përfaqsuesin e LS, Rikalo.
Pikërisht, emërtimi i njejtë kishte pamundësuar regjistrimin e partisë së Aleksandër Jabllanoviqit. Nenad Rikallo në fjalën e tij kishte thënë se kjo iniciativë kishte emrin e njejtë me të partisë që ai përfaqsonte.
“Këtu, bëhet fjalë për emër të njejtë, pra me ngjashmëri të plota…Dhe, mendoj se emri i njejët nuk mund të përdoret…! Sepse, shkakton huti, dhe jo vetëm kjo…Pra, ai emër nuk mund të përdoret. Ka nene të statutit që janë në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e Kosovës: 2 nene të statutit janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe 4 nene të tjera janë në kundërshtim me ligjin për zgjedhjet… P.s. Para anëtarëve të KQZ-së, Nenad Rikallo, bëri një elaborim të gjerë lidhur me statutin e kësaj iniciative, dhe shpjegoi se çka dhe si, është në kundërshtim me rregullat dhe me ligjet në fuqi..”, thuhet në procesverbalin e KQZ-së.

Në këtë procesverbal është cituar edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi.
Edhe Rrustemi, si Rikalo, e problematizonte emrin identik ose të ngjashëm, që sipas tij krijon konfuzitet te votuesi.

Pas këtyre kundërshtimeve, KQZ vendosi që të regjistrojë partinë politike Iniciativa Qytetare Lista Srpska, e kryesuar nga Slavko Simiq. Në të njëjtën kohë, Aleksandar Jabllanoviqit, i cili ka paraqitur kërkesë për regjistrimin e një partie politike me emër pothuajse identik, do iu mundësua regjistrimi i një subjekti të ri politik, por me emër tjetër.
Vetëm disa ditë më vonë, Jallanoviq kishte regjistruar partinë “PARTIJAKOSOVSKIH SRBA”, të cilën e drejton edhe sot.
Menjëherë pas mbledhjes së KQZ-së, përfaqësuesi i Listës Serbe, Nenad Rikalo ishte deklaruar për mediat serbe. Kosovës iu kishte referuar si “Kosova dhe Metohia”.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar listën e partisë politike Iniciativa Qytetare Srpska me Slavko Simiqin. Kjo i ka dhënë fund krizës dhe i ka hequr paqartësitë lidhur me funksionimin e këtij subjekti politik. Veprimi politik i këtij subjekti që mbledh serbët në territorin e ‘Kosova dhe Metohia’ tani do të jenë shumë më të qarta”, tha për KoSS Nenad Rikalo, anëtar i KQZ-së nga komuniteti serb.
Lidhur me kërkesën e Jabllanoviqit, Rikalo kishte thënë se partia tjetër politike, e përfaqësuar nga Aleksandar Jabllanoviq, do të mund të regjistrojë një subjekt të ri politik që nuk do të mund të përdorë të njëjtin emër, ose të ngjashëm me emrin Srpska lista. Atij iu dha një afat prej 24 orësh për të bërë ndryshime, nëse dëshiron të vazhdojë me procesin e regjistrimit politik të partive.
2017 – Lista Serbe dhe Vetëvendosje bëhen parti politike në të njejtën ditë
Duket e pazakontë, por Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe, që nga fillimi kanë vepruar si iniciativa politike në skenën politike të Kosovës, janë regjistruar si parti politike në të njëjtën ditë.
Edhe pse kjo mund të duket vetëm një rastësi procedurale, por dorëzimi i dokumentacionit në KQZ dhe procedurat, janë ndjekur në të njejten kohë.
Periskopi ka siguruar këto dy vendime që i renditin këto parti politike njëra pas tjetrës, Lista Serbe me numrin rendor 57 dhe Lëvizja Vetëvendosje me numrin rendor 58.





