Roli i ndërmjetësit në sigurime: Si e ka transformuar Raiffeisen Insurance Broker sektorin e sigurimeve në Kosovë
Raiffeisen Insurance Broker shënon këtë vit një dekadë prezence në tregun e sigurimeve në Kosovë. Si brokeri (ndërmjetësi) i parë i licencuar në tregun vendor, kompania ka arritur të zgjerojë vazhdimisht shërbimet dhe të rrisë numrin e klientëve.
Drejtoresha Ekzekutive, Donika Hasani, në një intervistë për KosovaPress, flet për rrugëtimin e kompanisë, besimin në rritje ndaj sektorit të sigurimeve, përfitimet që klientët marrin falë rolit të ndërmjetësit në sigurime, si dhe për ndryshimet strategjike që sektori i sigurimeve po bën për t’u përshtatur më mirë me nevojat e klientëve.
Këtë vit, ju shënoni një moment të rëndësishëm, 10-vjetorin e Raiffeisen Insurance Broker. A mund të na tregoni më shumë rreth rrugëtimit të kompanisë deri më tani – si ka nisur, cilat kanë qenë arritjet kryesore dhe si është zhvilluar përgjatë këtyre dhjetë viteve?
Rrugëtimi ynë ka qenë dinamik dhe i përshkruar me arritje domethënëse. Ndërsa ishim të parët që prezantuam ndërmjetësimin e sigurimeve në tregun vendor, sot kemi ndërtuar një organizatë të konsoliduar me portofol të gjerë shërbimesh, me një proces digjitalizimi të vazhdueshëm për t’u përshtatur klientëve tanë, dhe me zgjidhje gjithnjë e më konkurruese. Ne besojmë se përveç që kemi forcuar kompaninë tonë, kemi ndikuar në ndërtimin e një sektori më të hapur dhe më të përgjegjshëm.
Megjithatë, ka pasur edhe sfida. Të zëmë, vetëdija lidhur me rëndësinë e sigurimeve ka qenë mjaft e ulët. Për të ndryshuar këtë gjendje, ne jemi angazhuar aktivisht në edukim, transparencë dhe fuqizimin e klientit – duke zgjeruar qasjen në sigurime dhe duke ndërtuar një ekosistem më bashkëpunues. 10 vjet pas nga fillimet tona modeste, jemi të lumtur të jemi të pozicionuar si kompani lidere në kuadër të aktivitetit ndërmjetësues në sigurime, dhe jemi të lumtur që kemi ndërtuar bashkëpunim të shkëlqyer me Bankën Qendrore të Kosovës, Bankën Raiffeisen, Raiffeisen Leasing, kompanitë e sigurimeve dhe mbi të gjitha me klientët tanë. Ky bashkëpunim na forcon çdo ditë në misionin tonë për të shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim.
Duke pasur parasysh numrin e madh të kompanive të sigurimeve që operojnë në Kosovë, cilat janë përparësitë e bashkëpunimit me një broker si Raiffeisen Insurance? Çfarë vlere u ofroni klientëve?
Si një broker me përvojë në industrinë e sigurimeve, ne i udhëheqim klientët tanë gjatë gjithë procesit: nga përzgjedhja e policës më të përshtatshme, deri te mbështetja në momentet kur ajo nevojitet më shumë. Një nga përparësitë kryesore të bashkëpunimit me Raiffeisen Insurance Broker qëndron në aftësinë tonë për të bashkëpunuar me disa kompani sigurimesh, gjë që na mundëson të negociojmë kushte konkurruese dhe të ofrojmë zgjidhje të personalizuara, të përshtatura me nevojat specifike të secilit klient.
Ky bashkëpunim me shumë kompani garanton efikasitet më të lartë në kosto, këshillim profesional dhe kursim kohe për klientët tanë. Një nga aspektet më të vlefshme të shërbimit tonë është mbështetja gjatë procesit të trajtimit të dëmeve. Ne veprojmë si përfaqësues të klientëve tanë, duke mbrojtur interesat e tyre dhe duke u siguruar që të drejtat e tyre të respektohen.
Për vite me radhë, industria e sigurimeve në Kosovë është përballur me sfida. Megjithatë, disa argumentojnë se pandemia COVID-19 shënoi një pikë kthese, veçanërisht në rritjen e vetëdijes për sigurimet e jetës dhe shëndetit. Cili është mendimi juaj për ndryshimet që ka pësuar industria që atëherë, dhe çfarë roli ka luajtur Raiffeisen Insurance në këtë transformim?
Keni të drejtë, sepse në një treg si ky i Kosovës, ku vetëdijesimi për sigurimet mbetet relativisht i ulët, pandemia COVID-19 shërbeu si një pikë kthese e rëndësishme në edukimin e popullatës për rëndësinë e sigurimeve. Gjatë kësaj periudhe, kompanitë e sigurimeve luajtën një rol të rëndësishëm duke garantuar mbulimin e plotë të të gjitha shpenzimeve mjekësore lidhur me COVID-19. Ofruesit e sigurimeve të jetës gjithashtu përmbushën angazhimet e tyre, duke forcuar më tej besimin e publikut. Kjo qasje proaktive kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e vetëdijes për vlerën e sigurimit shëndetësor dhe jetësor. Gjatë kulmit të pandemisë, fatkeqësisht disa nga klientët tanë me polisa të Sigurimit të Jetës së Kredismarrësit humbën jetën. Por, kompanitë e sigurimeve trajtuan kërkesat për kompensim me profesionalizëm dhe empati – një përgjigje që u vlerësua nga familjet e të siguruarve.
Si pjesë e Grupit Raiffeisen, ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar fuqimisht për kujdesin ndaj klientit – jo vetëm duke ofruar vlerë të shtuar, por vazhdimisht duke kontribuar në promovimin e rëndësisë së sigurimeve, jo vetëm në aspektin financiar por edhe në aspektin social.
Transformimi digjital ka ndryshuar mënyrën se si ofrohen shërbimet në shumë industri. Çfarë hapa po merr Raiffeisen Insurance Broker për të digjitalizuar shërbimet e saj dhe për të përmirësuar përvojën e klientit?
Industria e sigurimeve në Kosovë është ende në fazat e hershme të transformimit digjital. Megjithatë, është e qartë se digjitalizimi nuk është thjesht një trend por një domosdoshmëri për qëndrueshmëri afatgjatë dhe përmirësim të përvojës së klientit.
Duke e kuptuar këtë, në tetor të vitit 2024 bëmë një hap të rëndësishëm përpara duke lansuar platformën tonë digjitale të shitjeve “end-to-end”, e cila përfshin edhe trajtimin e integruar të kërkesave për kompensim. Kjo platformë u mundëson klientëve të kenë qasje të lehtë dhe të krahasojnë produkte sigurimesh konkurruese, duke ofruar një rrugëtim të pandërprerë dhe efikas nga përzgjedhja e policës deri te zgjidhja e kërkesave për kompensim. Ne jemi vazhdimisht duke punuar për ta pasuruar më tej këtë platformë.
Besoj se industria e sigurimeve në Kosovë duhet të orientojë në mënyrë strategjike shitjen e produkteve të detyrueshme – siç është sigurimi i automjeteve – drejt kanaleve plotësisht digjitale. Kjo do t’i lironte ekipet e shitjeve që të fokusohen më shumë në promovimin e produkteve vullnetare dhe atyre me vlerë të shtuar, ku edukimi, këshillimi i personalizuar dhe angazhimi me klientin janë kyçe. Një ndryshim i tillë jo vetëm që do të rrisë efikasitetin operacional, por gjithashtu do të nxisë zhvillim real dhe inovacion në sektor.
Për fund, cilat janë qëllimet tuaja kryesore për të ardhmen – sa i përket rritjes, inovacionit dhe rolit që dëshironi të luajë Raiffeisen Insurance në tregun në zhvillim të sigurimeve në Kosovë?
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj avancimit të edukimit dhe vetëdijesimit për sigurimet në të gjithë tregun. Si pjesë e kësaj përpjekjeje, synojmë të inkurajojmë kompanitë e sigurimeve që të zhvillojnë zgjidhje më të personalizuara dhe inovative, siç janë modelet e sigurimeve të integruara (embedded insurance), të cilat mund të ndihmojnë në zgjerimin e qasjes ndaj produkteve vullnetare. Kjo qasje jo vetëm që i përgjigjet pritshmërive të klientëve, të cilët janë shumë më kërkues ndaj nevojave/kërkesave të tyre për mitigim (minimizim) të rreziqeve, por gjithashtu luan një rol thelbësor në nxitjen e rritjes së qëndrueshme brenda sektorit të sigurimeve.



