Avni Dehari me interpretimin e aktgjykimit të Kushtetueses nxiti reagime të PDK’së e LDK’së – Çka thanë?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, në një shkrim në Facebook ka thënë se do të ishte shkelje nëse pyeten deputetët se a janë për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin apo jo.
Dehari, është kryesues i tash e më shumë se 40 vazhdimeve të Kuvendit në përpjekjen për të konstituuar legjislaturën e nëntë.
Ai ka thënë se në aktgjykimin e Kushtetueses të 26 qershorit, për seancën konstituive, nuk përcaktohet nëse mënyra e votimit duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se nuk vlejnë as mocionet procedurale.
“Pika 178 e Aktgjykimit thotë se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstituive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se gjithashtu për seancën konstituive nuk vlejnë mocionet procedurale. Neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk vlen për seancën konstituive, por vetëm për seanca plenare dhe atë vetëm në rrethana të caktuara, që janë shprehimisht të cekura në Rregullore. Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar që nuk vlen mocioni procedural në seancën konstituive. Rrjedhimisht do të ishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo”, ka shkruar ai.
Pas këtij qëndrimi të Deharit, ka pasur reagime të partive të tjera.
Përparim Gruda i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se me këtë shkrim, Dehari ka pranuar se nuk lejohen mocione procedurale, por se sipas tij nuk ka pasur guxim ta lexojë aktgjykimin deri në fund.
“Paragrafi 187 i aktgjykimit thotë qartë: ‘(…)zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës’. Cila ka qenë ajo praktikë e deritanishme parlamentare? Votimi i hapur. Gjithmonë. Prandaj, Avni Dehari nuk ka të drejtë të hedhë në votim propozimin për Komision për votim të fshehtë, sepse kjo shkel drejtpërdrejt këtë paragraf të aktgjykimit të Gjykatës”, ka shkruar Gruda në Facebook.
E Besian Mustafa i Lidhjes Demokratike ka thënë se shkrimi i Deharit e shpërfaq mendësinë e Vetëvendosjes.
“‘Do të ishte shkelje kushtetuese nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo’ paska thënë Dehari. Ndërsa vendimi i tij, pa pyet askend, për të ndryshuar mënyrën e votimit, qenka kushtetues. Pra, sipas tij, deputetët s’bën me i pyet, ata veq duhet me ulë kryet edhe me votu. Kjo është pra mendësia e tyre: Mshele gojën, voto qysh t’thojmë na, nuk pyetësh ti për kurrgjë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Çështja e mocionit u ngrit një ditë më parë, kur deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se duhet të ngrihet një i tillë që t’i jepet fund çështjes së ngërçit. Ai tha se ka reflektuar dhe se në votim të hapur do të votojë për cilindo kandidat që e propozon Vetëvendosje.
Kujtojmë që Gjykata Kushtetuese vendosi t’i obligojë deputetët që për 30 ditë të konstituojnë Kuvendin.
Pavarësisht vendimit të Kushtetueses, Dehari ka vazhduar me propozimin për votim të fshehtë.
E kjo është dërguar në Kushtetuese sërish nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike./Periskopi/



