I vazhdohet edhe për 2 muaj paraburgim 22 të dyshuarve për përfshirje në trafikim ndërkombëtar me narkotikë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’i lë në paraburgim 22 të dyshuarit nga rasti i operacionit “Qielli i Thyer” edhe për dy muaj të tjerë.
Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale hetimore PPPS.nr.50/2024 kundër 22 të pandehurve, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës ka marrë Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit 22 të pandehurve iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj për secilin, kjo masë e sigurisë do të zgjasë deri me datë 03.09.2025” – thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Gashi për KALLXO.com
Rexhep Nikçi, Arianit Krasniqi, Abedin Gjakova, Ragip Bislimi, Armend Imsjali, Rifat Vuçetaj, Erduan Ismaili, Shemsi Bahtiri, Andi Vokshi, Blerim Sharapolli, Elez Elezi, Roland Beqiri, Avni Rekaliu, Edin Berisha, Ardijan Mazrekaj, Kurbin Dezdari, Onur Vizdiku, Lorik Tigani, Kenan Brovina, Kahraman Aksoy, Ylli Musliu dhe Safet Ljajiç janë të arrestuarit e dyshuar, në aksionin policor të emëruar “Qielli i Thyer”, në 45 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Viti, Suharekë e Pejë.
Për herë të parë masa e paraburgimit ju ishte caktuar më 05.06.2025.
Dosja hetimore tregon se grupi dyshohet se në një periudhë kohore nga fillimi i vitit 2019 e deri më 03.06.2025 në Kosovë dhe shtete të tjera, me dashje dhe dijeni, kanë kryer veprimtari të përgjithshme në mënyrë të organizuar për të kryer vepër penale të trafikimit të lëndëve narkotike.
Nga kjo veprimtari grupi dyshohet se pati fitim milionësh.
Bartja e narkotikëve në bazë të dosjes thuhet se është bërë përmes kontejnerëve të ndryshëm për bartjen e mallrave të ndryshme, përmes anijeve transportuese, përmes kamionëve për transport mallrash, përmes veturave të pajisura me bunkerë në formë të kamufluar nëpër vende të posaçme të rregulluara ekstra për fshehjen e narkotikëve.
Rruga që është përshkruar është përmes rrugëve tokësore, porteve detare në Shqipëri, Maqedonisë së Veriut për në Kosovë.
Gjithashtu në dosje përshkruhet edhe se pjesëtarët e grupit kishin bërë përzierjen e narkotikëve me sodë bikarboni dhe përbërës të tjerë, me qëllim të shtimit të peshës dhe më pas ishte paketuar me anë të një makine me presion, e përsëri narkotikun e vendosnin duke e kamufluar në mjetet e transportit.
Pas pranimit të drogës në Kosovë grupi dyshohet se më pas përmes mjeteve të transportit shisnin në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të BE-së.
Grupi dyshohet se përmes këtij aktiviteti të trafikimit të drogës ka fituar miliona euro në mënyrë të kundërligjshme.



