Tragjedia në Lipjan, 100 mijë euro dhe dhënia e një licence – Top 3 ngjarjet që shënuan javën në Kosovë
Institucionet e Kosovës ishin në epiqendër të ngjarjeve gjatë kësaj jave në Kosovë.
Edhe pse java nuk ka përfunduar, ngjarje të shumta ndodhën, transmeton Periskopi.
- Ngjarja 1: Vrasja e Agon Zejnullahut
Policia e Kosovës, që llogaritet një nga institucionet më të besueshme tek qytetarët, ishte në qendër të një ngjarje të rëndë.
Vrasja e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahut, në Lipjan, në duar të policisë gjatë arrestimit, duke dëmtuar reputacionin e këtij institucioni të rëndësishëm.
Pamjet e arrestimit të Zejnullahut, i cili vdiq fatkeqësisht në vend të ngjarjes, bënë bujë në rrjetet sociale.
Mënyra se si policia veproi u kritikua ashpër. Pesë policët që ishin pjesë e rastit tashmë gjenden në pararbugim.
Gjykata Themelore vendosi që pesë policëve t’iu jepet nga 1 muaj paraburgim, në dyshimet për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
- Ngjarja 2: A i kushtoi 100 mijë euro intervista Albin Kurtit në RTK?
Këtë javë, mediat zbuluan që organizata “Cult Club” përfitoi 100 mijë euro nga Qeveria Kurti.
Themelues i kësaj organizate doli të jetë kryeredaktori i RTK-së, Blerim Haxhiaj. Kurse, udhëheqëse e tanishme është bashkëshortja e tij.
Haxhiaj para disa javësh ishte në qendër të kritikave pas intervistës që e pati me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Kryeredaktori i televizionit publik mori kritika se bëri pyetje të buta dhe nuk ishte fare profesional, duke ia mbajtur anën partisë në pushtet.
A ishin 100 mijë euro shpërblim për intervistën e dobët? Nuk dihet! Por, dyshimet se kjo mund të kenë qenë arsyeja e paraqitjes së dobët të Haxhiajt në intervistë vazhdojnë e rriten.
Haxhiaj, me anë të një postimi në Facebook, sot sulmoi gazetarët që e raportuan këtë lajm, duke i quajtur “mercenarë mediatik”. Ai në postim e pranoi që është themelues i “Cult Club” dhe se bashkëshortja e tij është drejtoreshë.
- Ngjarja 3: Vëllai i Luan Dalipit përfiton licencën nga ZRrE për shit-blerje të rrymës në tregun e liberalizuar energjetik për bizneset
Zyra e Rregullatorit për Energji i ka dhënë licencë për tregtimin e energjisë elektrike “Management & Development Associates L.L.C.”, kompanisë që e kishte themeluar Luan Dalipi, shefi i stafit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Kompania e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) në emër të Driton Dalipit, është themeluar nga Luan Dalipi, në bazë të deklarimit të pasurisë nga shefi i stafit të Kurtit në vitin 2021.
Zyrtari më i lartë në kabinetin e Kurtit thoshte se pjesa thelbësore e pasurisë së tij bazohej në të ardhurat e kësaj kompanie. Në vitin 2021, ai kishte deklaruar 6,000.00 euro të hyra vjetore si konsulent në “MDA”.
Kur doli lajmi se kjo kompani po priste të licencohej nga ZRRE, Luan Dalipi tha më 30 maj se vëllai i tij, Dritoni, “s’është ministër, s’është këshilltar”. Ai, thoshte për vëllain, “është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendosur, para rreth 1 viti, të provojë fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër”.
Luan Dalipi shkruante ndër tjerash në Facebook se “liberalizimi i tregut të energjisë është vendim ekskluziv i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), një organ i pavarur nga Qeveria që i raporton Kuvendit”./Periskopi/



