Amerika kërkon heqjen e barrierave ekonomike: Qeveria të promovojë një mjedis transparent për bizneset amerikane
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se ekzistojnë mundësi të rëndësishme për bashkëpunim ekonomik me Kosovën në disa sektorë strategjikë dhe se heqja e barrierave tregtare do t’i forconte më tej këto lidhje.
“Shohim mundësi për bashkëpunim ekonomik në Kosovë në disa sektorë, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe sigurinë kibernetike. Heqja e barrierave ndaj eksporteve amerikane do të rezultonte me rritje të tregtisë”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë për REL-in.
“Ne i inkurajojmë sektorët publikë dhe privatë në Kosovë që të vazhdojnë të kërkojnë mundësi ekonomike dhe investime në tregun amerikan dhe që Qeveria të promovojë një mjedis transparent dhe të qëndrueshëm për bizneset amerikane që kërkojnë të zgjerohen në Kosovë”, tha ai.
Ky qëndrim përkon edhe me përpjekjet e Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, sidomos pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani në Uashington, këtë muaj.
Gjatë takimeve me zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë zëvendëssekretarin e Shtetit, Christopher Landau, ajo tha se u fol për rëndësinë e krijimit të një partneriteti të ri ekonomik, me fokus në sektorët e energjisë, mbrojtjes dhe teknologjisë informative.
Radio Evropa e Lirë mori vesh se temë diskutimi ishte edhe mundësia e bashkëpunimit në sektorin e pasurive minerare.



