Të paktën 25 palestinezë vriten në sulmet e reja izraelite, teksa kriza e urisë po thellohet

Të paktën 25 palestinezë vriten në sulmet e reja izraelite, teksa kriza e urisë po thellohet

Banorë të Gazës së rrënuar nga sulmet izraelite janë duke u ballafaquar së fundi me luftë të dyfishtë. Teksa nga bombat, veç të shtunën u vranë 25 civilë palestinezë, uria është kthyer në tjetër shkak të vdekjeve. Liderë botërorë kanë kërkuar veprim të menjëhershëm e zgjidhje të qëndrueshme politike për t’i shmangur këto vdekje, teksa mbi Izraelin është rritur trysnia për ta lejuar depërtimin e ndihmave dhe për t’i ndalur sulmet

Të paktën 25 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore dhe të shtënat izraelite të ndërmarra gjatë natës në Gazë, kanë raportuar autoritetet shëndetësore palestineze.

Zyrtarë të spitalit Shifa thanë se shumica e viktimave janë vranë nga të shtënat e ushtarëve izraelitë teksa po prisnin për të marrë ndihma pranë pikës kufitare, Zikim.

Sulmet e fundit janë kryer në kohën e thellimit të krizës së urisë që ka goditur banorët e Gazës. Për këtë shkak, liderë të shumtë botërorë, përfaqësues organizatash humanitare e asociacione gazetarësh u bërë thirrje institucioneve përkatëse qendrore të reagojnë karshi krizën humanitare në Gazë.

I prerë në këtë thirrje u shpreh kryeministri britanik, Keir Starmer.

“Pamjet që i shohim nga Gaza janë tronditëse dhe e di që populli britanik është i tmerruar nga ajo që po ndodh. Mohimi i ndihmës për fëmijët dhe për foshnjat është krejtësisht i pajustifikueshëm, ashtu siç është e pajustifikueshme edhe mbajtja ende peng e personave të rrëmbyer. Qindra civilë janë vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma. Fëmijë janë vrarë teksa kërkonin ujë. Kjo është një katastrofë humanitare dhe duhet të marrë fund”, ka theksuar kryeministri britanik.

Starmeri foli edhe rreth paralajmërimit të bërë ditë më parë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për njohjen e Palestinës shtet.

Paralajmërimi për njohjen e Palestinës nga Franca është bërë në kohën kur bisedimet për ndaljen e luftimeve nuk kanë prodhuar rezultat prekës dhe kur mungesa e furnizimit me ushqim ka nxitur alarm për krizë humanitare në Gazë.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi raportoi se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, nëntë persona kanë vdekur nga kequshqyerja. Me rastet e fundit, numrin total i vdekjeve si pasojë e kequshqyerjes ka shkuar në 122, 83 prej të cilëve janë fëmijë. Një prej tyre, sipas ministrisë, është foshnjë gjashtëmuajshe.

E, pas presionit ndërkombëtar shkaku i krizës, autoritetet izraelite njoftuan se do të lejojnë që vendet e huaja të dërgojnë ndihma për Gazën, nga ajri./Perskopi

Shpërndaje në: