Tre të vdekur dhe disa të plagosur pas daljes nga shinat të një treni në Gjermani
Të paktën tre persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur rëndë pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në jugperëndim të Gjermanisë, thotë policia.
Operatori “Deutsche Bahn” tha se treni u rrëzua në Riedlingen pranë Stuttgartit për “arsye të panjohura”. Raportimet thonë se pak më parë kishte pasur një stuhi në zonë.
Rreth 100 persona ishin në bordin e trenit kur të paktën dy vagona dolën nga shinat në një zonë të pyllit rreth orës 18:10 sipas orës lokale, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Kancelari gjerman Freidrich Merz shprehu ngushëllimet e tija më të thella ndaj familjeve të viktimave në një postim në X.
Ai tha se ishte në kontakt të ngushtë me ministrat e Brendshëm dhe të Transportit dhe u ka kërkuar atyre që t’u ofrojnë shërbimeve të emergjencës gjithë mbështetjen që u nevojitet.
Në një deklaratë, policia e Ulmit tha se hetimet aktuale treguan se “tre persona u vranë dhe pasagjerë të tjerë u plagosën rëndë”.
Imazhet e përplasjes tregojnë vagonët e kthyer anash dhe prani të madhe të shërbimit të emergjencës, ndërsa zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës punuan për të hyrë te pasagjerët e bllokuar. Pemë të rrëzuara mund të shihen gjithashtu në vendngjarje, shkruan BBC./Periskopi/



