Lirohet me kusht nga burgu ish-kryeministri kroat
Me vendim të Gjykatës së Qarkut të Sisakut, ish-kryeministri kroat Ivo Sanader, i cili po vuan dënimin në burgun e Lipovicës, është liruar me kusht.
Kjo është konfirmuar nga Gjykata e Qarkut në Sisak, dhe vendimi është marrë sot në një seancë të këshillit gjyqësor, raporton jutarnjilist.

Dy vite më parë kishim shkruar se atëherë, 69-vjeçari Sanader, mund të qëndronte pas hekurave deri në moshën 80-vjeçare nëse gjykata nuk do t’i aprovonte lirimin e parakohshëm, për shkak të tre vendimeve të formës së prerë.
Për nxjerrjen e parave nga ndërmarrjet publike për fondin e zi të HDZ-së dhe për donacionet e paregjistruara në arkën e partisë, Sanader është dënuar me 7 vjet burg.
Për kërkimin dhe marrjen e 17.5 milionë kunave (rreth 2.3 milionë euro) nga Stjepan Fioliq në këmbim të favorizimit për shitjen e një ndërtese për Ministrinë, ai mori 6 vjet burg.
Për dorëzimin e të drejtave menaxhuese mbi kompaninë INA kompanisë hungareze të naftës në këmbim të një ryshfeti prej dhjetë milionë eurosh, është dënuar me 6 vjet burg./Periskopi/



