Punëtorët e RTK’së pa paga, drejtori Rilind Gërvalla tallet me ta
Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rilind Gërvalla e ka krahasuar ditën e sotme të punës të punonjësve të transmetuesit publik me “bujqit që punojnë tokat” dhe aktorët e teatrove që “vazhdojnë të luajnë edhe kur salla është gjysmë bosh”.
Në një postim në rrjetet sociale, Gërvalla theksoi se punonjësit e RTK-së pritet të mbesin pa paga edhe pas të premtes me Qeverinë e Kosovës që nuk e ka vendosur çështjen e tyre në rendin e ditës të mbledhjes që do të mbahet sot.
Në këtë situatë të rënduar, pranë kolapsit, të transmetuesit publik, drejtori ka zgjedhur të glorifikojë punën e “punonjësit të vërtetë” të RTK-së. Ka thënë se për këtë punonjës puna është më shumë sesa mjet mbijetese. Sipas tij, është dinjitet.
“Sot, punëtori i vërtetë i RTK-së u ngrit nga gjumi jo sepse e thirri ora, por sepse e thirri ndërgjegjja e pastër. Jo për të fituar kafshatën e bukës, por për të qëndruar. Jo për të përfituar diçka materiale, por për të mos e humbur diçka shumë më të thellë: dinjitetin”, ka shkruar Gërvalla.
“Punëtori që me djersë e pa dallavere ka punuar qe 26 vjet e dinte që dita e sotme nuk do të paguhet. Që puna që do ta bëjë nuk do të përkthehet në numra bankarë, në bukë të tavolinës, në qumësht të fëmijës. E megjithatë, ai u vesh, mbathi këpucët dhe e mori rrugën drejt RTK-së. Sepse ndonjëherë, puna nuk është vetëm mjet për mbijetesë. Është një mënyrë për të mos e humbur veten në një botë që të fshin ngadalë”.
Duke përdorur shpjegime filozofike, ai e ka krahasuar ditën e sotme të punës të “punonjësit të vërtetë” të RTK-së me bujqit që punojnë tokat, “jo sepse dikush e sheh, por sepse toka nuk pret”.
“Në zyrë nuk gjeti atmosferë feste, por kishte një lloj heshtjeje të shenjtë në pritje të mbledhjes nga Qeveria. Si në manastire a xhanm, ku besimtarët nuk presin pagë për lutjet e tyre. Si në teatro, ku aktorët vazhdojnë të luajnë edhe kur salla është gjysmë bosh. Si në ara, ku bujku e punon tokën jo sepse dikush e sheh, por sepse toka nuk pret”, vazhdoi Gërvalla.
“Sot, punëtori i RTK-së nuk është i frustruar – ai është i vetëdijshëm. Dhe kjo është më e dhimbshme. Sepse kur nuk pret asgjë, as zhgënjimi nuk të godet më”, tha tutje ai./Periskopi/
Por, punëtorët e RTK-së e shohin më ndryshe situatën e rëndë financiare në RTK.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, gjatë kësaj jave paralajmëroi protestë për 6 gusht për mungesën e pagave dhe u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që urgjentisht të ndërhyjnë urgjentisht për të gjetur zgjidhje.
Në një reagim të enjten, Sindikata tha se protesta e paralajmëruar për 6 gusht mbetet e pashmangshme.



