Son konfirmon largimin nga Tottenham pas dhjetë vitesh
Kapiteni i Tottenham Hotspur, Heung Min Son, ka zyrtarizuar largimin nga klubi londinez, pas një dekade të suksesshme në radhët e “Spurs”.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Seul, sulmuesi koreano-jugor deklaroi se ka kërkuar vetë largimin dhe se ky ka qenë një prej vendimeve më të rënda të jetës së tij profesionale.
“Kërkova të transferohem. Ky është vendimi më i vështirë i karrierës sime, por kam vendosur të largohem. Kam dhënë më të mirën time këtu dhe tani kam nevojë për një sfidë të re. Erdha në Londër si një djalë që nuk fliste anglisht dhe po largohem si burrë. I falënderoj të gjithë tifozët për dashurinë që më kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Son.
33-vjeçari iu bashkua Tottenhamit në vitin 2015 nga Bayer Leverkusen, dhe gjatë 10 sezoneve të plota ka luajtur mbi 450 ndeshje, duke realizuar 173 gola, dhe u shndërrua në një prej figurave ikonike të klubit, raporton Sinjali, transmeton Periskopi.
Në maj të këtij viti, Son arriti të fitonte Europa League, duke sjellë për klubin trofeun e parë evropian pas 41 vitesh – një sukses historik për Tottenhamin.
Edhe pse nuk ka konfirmuar ende se ku do ta vazhdojë karrierën, raportimet e mediave ndërkombëtare flasin për një kalim të mundshëm në MLS, me Los Angeles FC si destinacionin më të përfolur./Periskopi/



