Krasniqi i reagon Kurtit për krizën me buxhetin në RTK: Ky njeri duhet të largohet sa më parë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit Albin Kurti lidhur me situatën financiare në Radio Televizionin e Kosovës (RTK), duke e akuzuar atë për shkatërrimin e institucioneve publike dhe përpjekje për nënshtrim të mediave, shkruan Periskopi.
Krasniqi tha se RTK ka mbetur pa paga për shkak të dështimeve të vetë qeverisë dhe jo për arsye të tjera, siç pretendoi Kurti.
“ Albin Kurti, klithte për RTK-në sa ishte në opozitë, sot po e mbyt në pushtet. RTK ka mbetur pa paga, sepse Kurti nuk është i aftë të bëjë zgjidhje dhe as të ndjekë praktikat ligjore që i gjeti gati.”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, kjo situatë është pasojë e modelit të qeverisjes që po ndjek Kurti.
“Ky është modeli i tij: shkatërro institucionet, nënshtro mediat, dhe fajëso të tjerët.”
Deputetja e LDK-së thekson se RTK është pronë e qytetarëve dhe duhet të mbrohet nga ndërhyrjet politike:
“RTK është e qytetarëve, JO e qeverisë!”– ka shkruar ajo.



