Dy shtetas të Shqipërisë kapen me para të falsifikuara në Kosovë – njëri dërgohet në paraburgim

Dy shtetas të Shqipërisë kapen me para të falsifikuara në Kosovë – njëri dërgohet në paraburgim

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka zbuluar dhe ndërmarrë veprime të shpejta ndaj dy shtetasve të Shqipërisë, të dyshuar për falsifikim të parasë.

Sipas njoftimit zyrtar, më datë 07.08.2025, të dyshuarit janë furnizuar me derivate në një pikë karburanti, duke kryer pagesën me një shumë prej 50 eurosh – të gjitha kartëmonedha me prerje nga 10 euro.

Gjatë verifikimit nga punonjësit e pikës së derivateve, është konstatuar se katër nga kartëmonedhat e pranuara ishin të falsifikuara.

Reagimi i shpejtë i zyrtarëve të Njësisë për Mbështetje të Trafikut Rrugor ka ndihmuar në koordinimin efikas të njësive relevante policore.

Si rezultat, të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar në Pikën Kufitare me Shqipërinë, në Vërmicë – Prizren.

Gjatë kontrollit të veturës së tyre, policia ka gjetur edhe 780 euro të tjera, të gjitha kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.

Me vendim të prokurorit të rastit, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Falsifikim i parasë”, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt me urdhër verbal nga prokurori.

Shpërndaje në: