Prokuroria për Mefail Shkodrën: Është nën hetime edhe për dy raste, një herë u lirua nga paraburgimi me dorëzani

Prokuroria për Mefail Shkodrën: Është nën hetime edhe për dy raste, një herë u lirua nga paraburgimi me dorëzani

Për autorin e vrajses së trefishtë, Mefail Shkodrën – tash në arrati – Prokuroria Speciale është ‘sqaruar’ se ai bashkë me të birin e tij është në hetime edhe në dy raste të ndara, dhe referuar kohës së vitit të kaluar kur ishte në paraburgim për më pak se katër muaj, tha se masa e sigurisë iu ndërrua me “masën e dorëzanisë”.

Kjo, sipas tyre, pas kërkesës së avokatëve mbrojët, vlerësimit të Prokurorisë Speciale dhe vendimit të Gjykatës përkatëse se “nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit”.

Por, thonë nga Prokuroria Speciale në një përgjigje për Nacionale, se “ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme në kuadër të këtij hetimi, dhe ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast penal, në përputhje me standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale”.

Komunikata e plotë:

Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj të dyshuarit M.Sh.

Me datë 25 prill 2025, PSRK është njoftuar nga Policia e Kosovës për paraqitjen e një kallëximi penal nga ana e B.H. ndaj të dyshuarit M.Sh.Menjëherë pas pranimit të informatave, në po të njëjtën ditë Prokuroria ka filluar të ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka autorizuar hetuesit policorë për ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të nevojshme ligjore.

Në këtë rast, Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, pasi në fazën fillestare të procedurës kanë qenë të nevojshme ndërmarrja e veprime të tjera hetimore me qëllim verifikimin e pretendimeve dhe sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Sipas ligjit, paraburgimi mund të kërkohet dhe të caktohet vetëm kur ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale.

Për më tepër, bazuar në raportet e Policisë, pas përfundimit të planit operativ, kontrollit të pronave të dyshuar, si dhe pas intervistës se të dyshuarve dhe ankuesit, nuk është pranuar asnjë informacion apo dëshmi që do të tregonte se ankuesi apo ndonjë anëtar i familjes së tij kanë qenë të kërcënuar nga ana e të dyshuarve.

Ndërsa, Prokuroria sqaron se në rastin e parë, i dyshuari M.SH dhe E.SH kanë qenë në paraburgim për katër muaj për disa vepra penale, përfshirë fajden dhe detyrimin.

Pas propozimit të avokatëve mbrojtës për zëvendësimin e masës me dorëzani në Gjykatën Themleore në Prishtinë, e njëjta propozimin e tillë e ka përcjell për vlerësim në Prokurori. PSRK-ja pas analizimit të kërkesës, ka dhënë propozimin për ndryshimin e masës së sigurisë, dhe Gjykata ka vendosur zëvendësimin e masës, pasi është vlerësuar se nuk ekzistonin më kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit.

Njëkohësisht ndaj këtyre të pandehurëve kjo Prokurori ka sekuestuar 9 prona të paluajtshme në kuadër të këtij hetimi, dhe ka intervistuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast penal, në përputhje me standardet e përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale. Theksojmë se rasti është ende në fazën e hetimeve, dhe gjithashtu janë duke u siguruar prova në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Prokuroria mbetet e përkushtuar për zhvillimin e një hetimi të pavarur, të paanshëm dhe të plotë, dhe siguron opinionin publik se çdo veprim po ndërmerret në përputhje me standardet ligjore dhe institucionale.

Shpërndaje në: