UEFA me një slogan të qartë kërkon të ndalohet vrasja e fëmijëve dhe civilëve
Dje, gjatë ditës, UEFA njoftoi një iniciativë të re humanitare me qëllim ofrimin e ndihmës për fëmijët e prekur nga lufta, veçanërisht në Rripin e Gazës, dhe më pas u dërgoi një mesazh të qartë izraelitëve në ndeshjen e Superkupës Evropiane midis PSG dhe Tottenham.
Fondacioni UEFA ka krijuar partneritete të reja me tre organizata të njohura humanitare që ofrojnë ndihmë thelbësore për fëmijët në Gaza – Medecins du Monde, Medecins Sans Frontieres dhe Handicap International.

Shumë veta besojnë se lëvizjet e djeshme të ndërmarra nga UEFA janë rezultat i presionit të madh nga një numër personazhesh të famshëm që dënuan njoftimin e Federatës Evropiane të Futbollit për vdekjen e ish-anëtarit të ekipit kombëtar palestinez Suleiman Al-Obeid, i cili u vra në një sulm izraelit të mërkurën e kaluar ndërsa priste ndihma ushqimore në Gaza, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
“Lamtumirë Suleiman al-Obeid, ‘Pele palestinez’. Një talent që u dha shpresë fëmijëve të panumërt, edhe në kohët më të vështira”, shkroi UEFA së bashku me një foto të futbollistit të vrarë.
Pa asnjë hije dyshimi, futbollisti më i famshëm që komentoi ishte Mohamed Salah, i cili citoi njoftimin e UEFA-s dhe u bëri disa pyetje.
“Na tregoni si vdiq, ku dhe pse”, shkroi Salah në Twitter, dhe kjo ishte ndoshta një nga arsyet për ndryshimin e sjelljes së UEFA-s ndaj ngjarjeve aktuale në Gaza./Periskopi/



