Haziri me parashikim për seancën e nesërme – Do ta propozojnë Kusari Lilën
Deputeti i LDK`së, Lutfi Haziri, ka komentuar gjendjen në Kuvend, kandidimin e Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit dhe mos votimin e saj nga deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi.
Ai thotë se dy zonja të zgjedhura po i qëndrojnë pozicioneve të tyre.
“Kur dy zonja të zgjedhura i qëndrojnë pozicionit që besojnë, Gërvalla-Shëarz ndaj komandantëve të UÇK-së për të bëmat në kryengritjen e armatosur për liri dhe Mehmeti-Selimi në mbrojtje të bashkëshortit të saj që po përballet me akuzat për krime të rënda kundër njerëzimit dhe krime lufte. Por, çka i bashkon këto dy zonja në këto dallime si nata me ditën, pra?”, thekson ai.
Haziri thotë se ato e ndanë votën për kandidate për kryetare të Kuvendit, por i mban bashkuar ideologjia e Kurtit në VV.
“E ndanë votën për kandidaten për Kryetare të Kuvendit, por i mban të bashkuar ideologjia e Albin Kurtit në VV. Ec e gjeje racionalen këtu në mes. Dikush ka gjetje për krime lufte dhe dikush është i akuzuar për krime lufte. Janë në rreshtin e dytë të bankave të Kuvendit të Republikës, në partinë e njëjtë dhe kanë një te përbashkët: Albin Kurtin”, vlerëson deputeti i LDK-së për Gazeta Blic, transmeton Periskopi.
Po ashtu, Haziri thotë se mbetet të shihet nëse do të ketë pajtim për një emër të zgjedhur nga Kurti dhe mbetet të shihet nëse do të jetë radha e Kusari-Lilës apo rikthimi i një mbiemri të njohur e të pritur.
“Mbetet të shihet se a do të ketë ‘pajtim’ për një emër që e fiton të drejtën e Kurtit për të qenë i/e propozuar e që ka mundësi edhe ta zgjerojë mbështetjen për të qenë i/e zgjedhur. Ta shohim, po ashtu, se a është radha e zonjës Kusari-Lila tash apo rikthimi te një mbiemër i njohur e i pritur që garanton jo vetëm funksionimin e Kuvendit, por edhe demokracinë parlamentare, që është fryma kryesore e Republikës sonë”, deklaron Lutfi Haziri



