Vodhi dy trotinetë e dy biçikleta me vlerë mbi 4 mijë euro, arrestohet i dyshuari në Ferizaj
Policia e Kosovës ka njoftuar se hetuesit e stacionit policor në Ferizaj, pas një pune hetimore intensive, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë një person të dyshuar për disa raste të vjedhjeve në këtë qytet.
Ai kishte vjedhur trotinetë e biçikleta në vlerë mbi 4 mijë euro.
Njoftimi:
Arrestohet një person për vjedhje në Ferizaj
Hetuesit e stacionit policor në Ferizaj, pas një pune hetimore intensive, kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarin B. T, 28 vjeç, i cili gjatë periudhës 01.07.2025 – 19.08.2025 ka kryer disa raste të vjedhjeve në banesa dhe objekte banesore në qytetin e Ferizajt.
Nga hetimet në zhvillim është vërtetuar se i dyshuari ka vjedhur dy trotinete elektrike dhe dy biçikleta, me vlerë totale prej rreth 4.220 €, të cilat më pas i kishte shitur personave tjerë, duke iu treguar se ishin të vjedhura.
Sendet e vjedhura janë sekuestruar dhe do t’u kthehen pronarëve ligjorë.
Ndërsa ndaj dy personave të tjerë, G .B, 33 vjeç dhe B. H.,25 vjeç, është iniciuar rasti penal “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara nga vepra penale”, pasi kanë pranuar se ishin në dijeni për origjinën e tyre.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuari B. T. është ndaluar për 48 orë për procedura tjera hetimore.



