Reporteri: BIRN-i i Jeta Xharrës i do 105 mijë Euro në vit për kthimin e emisioneve në RTK
Rreth 420 mijë Euro ka vlerësuar BIRN Kosova të kenë koston vjetore për realizimin e dy emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”. 25% të shumës pritet të mbulohet nga RTK-ja, në rast se kalon në komisionin për vlerësimin e Veprave Audio-Vizuele propozimi i organizatës së themeluar dhe drejtuar nga gazetarja Jeta Xharra, për rikthimin e formateve të saj televizive në kanalin e parë të transmetuesit publik. Por, ku dhe kush e komprometoi procesin?
Gazeta Reporteri. net raporton se rreth 105 mijë Euro në vit, do të obligohet RTK-ja t’ia mbulojë qendrës në Kosovë të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese “BIRN”, në rast se Komisioni për Vepra Audio-Vizuale në Radio Televizion Publik të Kosovës zgjedh rikthimin në kanalin e parë të saj, të dy emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”.
BIRN Kosova vlerëson se realizimi i dy formateve televizive me përmbajtje të gazetarisë hulumtuese kap shifrën vjetore prej rreth 420,000 Euro në vit, e ku veç 25% ka kërkuar t’i mbulohet nga RTK-ja, ndërsa pjesa tjetër “do të kërkohet nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë”.
Sipas, Kreshnik Gashit, autor i njërit prej emisioneve që gjatë sezonit të ri televiziv pritet të rikthehen së transmetuari në RTK1, prodhimi i emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” në vazhdimësi ka pasur një kosto të tillë financiare vjetore “që ka mbuluar koston e një ekipi të gjerë të angazhuar në prodhimin e emisioneve, ekip gazetaresk si dhe ligjor”.
“RTK ka mbuluar rreth 25% të kësaj shume. Ne edhe në vitin 2025 kemi njoftuar RTK-në për shpenzimet dhe synimin që RTK të mbulojë 25% të shumës për prodhimin e emisioneve, qoftë kjo edhe përmes kompenzimit me marketing”, thotë Gashi për gazetën online Reporteri.net.
Sipas RTK-së, BIRN Kosova më 30 qershor të këtij viti, ka dorëzuar tek transmetuesi publik kërkesën formale për rikthimin e bashkëpunimit me dy emisionet e saj, të cilët janë shfaqur në televizion publik nga 2005-ta deri më 2021. Bëhet fjalë për realizimin e rreth 100 episodeve vjetore, që nga RTK-ja thonë se përmes tyre “synojnë mbulimin e boshllëqeve aktuale në skemën programore”.
Një muaj më vonë, më 30 korrik 2025, kërkesa e BIRN-it “përmes një e-maili zyrtar të dërguar nga drejtori i Televizionit, me autorizim të drejtorit të përgjithshëm” ka shkuar për shqyrtim tek Komisioni për Përzgjedhjen e Veprave Audio-vizuale në RTK, shpjegon Mejreme Ibrahimi nga Zyra për Qasjen në Dokumentet Publike në RTK.
Në komisionin, siç ka marrë vesh gazeta online Reporteri.net ishin caktuar 5 persona: Zana Spahiu, Arsim Haliti, Leonora Berbatovci, Dardan Ramabaja dhe Rialda Jahaj.
“Në komunikim është kërkuar trajtim i kësaj lënde nga Komisioni, në përputhje me procedurat e brendshme. Aktualisht, kjo çështje është në shqyrtim nga strukturat përkatëse të RTK-së, dhe nuk është marrë ende një vendim përfundimtar”, shpjegon RTK-ja në një raport përmbledhës lidhur me aplikimin e organizatës BIRN për bashkëpunim me RTK-në, që iu ka përcjellë gazetës online Reporteri.net, në vend të dosjes së plotë të procesit të cilën e ka kërkuar mediumi duke u thirrur në Ligjin për Qasjen në Dokumentet Publike.
Gjashtë ditë pasi pranuan kërkesën, Komisioni u mblodh më 05 gusht 2025 dhe shqyrtoi aplikimin e BIRN. Konstatimet “kryesore të komisionit” i shpjegoi Ibrahimi në raportin përmbledhës.
“Komisioni, në mënyrë unanime, ka vendosur të trajtojë vetëm pjesën e aplikimit që ka të bëjë me hapësirën publicitare dhe jo pjesën që lidhet me buxhetin apo vazhdimësinë e projekteve të mëparshme, pasi kjo e fundit nuk hyn në kompetencat e Komisionit për vepra audio-vizuale; Në këtë fazë, kërkesa trajtohet sipas nenit 6 të Rregullores për Procedurat dhe Kriteret për Përzgjedhjen e Përmbajtjeve nga Prodhues të Pavarur, e cila rregullon procedurat për kompenzim me hapësirë publicitare; Komisioni ka kërkuar nga propozuesi që të ri-dorëzojë ofertën e ristrukturuar vetëm për pjesën e hapësirës publicitare, së bashku me dokumentet shtesë dhe kriteret e përcaktuara në nenin 11 të së njëjtës Rregullore; dhe vetëm për periudhën deri në fund të vitit 2025. […] Komisioni ka vendosur të mos e trajtojë ofertën si vazhdimësi të projekteve të mëparshme, por si një propozim i ri që i nënshtrohet procedurave të rregullta për përmbajtje nga jashtë; Pra deri në këtë fazë, Komisioni ka mbajtur vetëm 1 mbledhje dhe propozimi ende është në trajtim e sipër”.
Krejt procedurë tjetër nga ajo që RTK-ja e përshkruan në raportin përmbledhës e parasheh Rregullorja për Procedurat dhe Kriteret në Përzgjedhjen e Përmbajtjeve Audiovizuale të Producentëve të Pavarur.
Neni 4 i kësaj rregulloreje në fuqi qysh nga tetori i 2018-ës precizon se “inicimin e nevojës për veprat audiovizuale nga producentët e hapur e bëjnë Drejtorët programorë dhe miratohet nga Drejtori i përgjithshëm”.
Sipas rregullores, RTK-ja fillimisht përcakton nevojat e saj e pastaj shqyrton ofertat, dhe jo e kundërta. Pikërisht për këtë segment, ZKA në 2021-ën kishte dhënë vërejtje për vitet paraprake duke evidentuar shkelje të procedurave.
RTK në asnjë rast në raportin përmbledhës të dërguar nuk përmend “inicimin e nevojës” nga Drejtorët programorë, përkundrazi tek “informata të përgjithshme rreth aplikimit” dhe “procedura e brendshme” transmetuesi publik pohon se fillimisht BIRN-i e paraqiti kërkesën.
Dyshimet për kurdisje, a pati përnime?
E gjithë procedura për rikthimin e produkteve të BIRN Kosova në RTK po shkonte pa zhurmë, si çështje e brendshme e transmetuesit publik, deri kur e-mail adresa zyrtare e drejtorit të Radio Kosovës, Arsim Halili, një ditë pas mbledhjes së komisionit, më 6 gusht 2025, u përfshi në disa komunikime elektronike të anëtarëve të komisionit për Vepra Audio-Vizuale, i thirrur për ta vlerësuar kërkesën.
Përfshirja e e-mailit të Halilit besohet se ndodhi gabimisht, në vend të adresës elektronike të anëtarit të komisionit Arsim Haliti. Të dy emrin e njëjtë, e mbiemrat shumë të përafërt.
Pak ditë më vonë, drejtori i Radios, komunikimet i nxori në publik, përmes llogarisë së tij në Facebook.
Arsim Halili, pretendoi se procesi po kurdiset në favor të BIRN-it, dhe sipas tij komunikimet e brendshme që i shkuan gabimisht në emal, tregojnë për favorizimin e kësaj organizate nga komisioni dhe drejtuesit aktual të televizionit, përmes instruksioneve rreth formës së aplikimit. Ai i ftoi anëtarët aktualë të Bordit të RTK-së, organet tjera mbikëqyrëse të televizionit publik, Agjencinë Kundër Korrupsionit, hetuesinë dhe Prokurorinë që ta hetojnë rastin menjëherë “me elemente serioze korruptive, t’i verifikojnë procedurat dhe të garantojnë transparencë në çdo bashkëpunim të ardhshëm”.
“D.m.th është tentuar të kontrabandohej pa u diskutuar në forumin më të lartë vendimmarrës. Sipas nenit 12 të Ligjit për RTK (Ligji Nr. 04/L-046), produksionet e pavarura pranohen vetëm përmes KONKURSIT PUUBLIK”, shkroi Halili më 11 gusht 2019.
“Teksti që duhet ti dërgohet me e-mail produksionit BIRN. Nëse komisioni është në rregull, atëherë mundet me u dergu”, thuhet në një nga komunikimet e komisionit të cilat i publikoi dhe nënvizoi drejtori Halili.
Mesazhet tregojnë se komisioni i RTK-së për Vepra Audio-Vizuale po kërkonte nga BIRN Kosova që ta rikonstukturonte propozimin e saj “duke përfshirë vetëm periudhën deri më 31 dhjetor 2025, dhe vetëm për pjesën që parasheh kompensimin përmes hapësirës publicitare”.
Për Kreshnik Gashin nga BIRN Kosova, njëherit kryeredaktor i mediumit “Kallxo.com”, kjo nuk është kurdisje dhe procesi po zhvillohet sipas ligjit dhe procedurave të brendshme.
“Ashtu siç e kemi potencuar në reagimin tonë po e ripërsërisim edhe për ju: pretendimi i z. Halili se në këtë rast ka shkelje – është një shpifje”, thotë autori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”.
Komisioni për Vepra Audiovizuale i Radiotelevizionit të Kosovës, në një reagim më 11 gusht 2025, thanë se publikimi i komunikimi të brendshëm nga ana e Arsim Halilit është bërë pa autorizim zyrtar dhe paraqet përmbajtje të nxjerrë jashtë kontekstit, sipas tyre, duke manipuluar dhe shtrembëruar kuptimin e vërtetë të materialit.
“Çdo publikim i pjesshëm apo jashtë kontekstit, pa autorizim dhe pa pasqyrim të qëndrimit zyrtar, është shkelje e rëndë e etikës profesionale dhe rregulloreve të RTK-së”.
Thoshin se çdo komunikim brenda në Komision përbën korrespodencë zyrtare dhe sipas Ligjit për Qasje në Dokumente, është i qasshëm, por kur gazeta online Reporteri.net kërkoi që komplet dosja t’i dërgohet mediumit në mënyrë elektronike, RTK-ja kufizoi qasjen duke e dërguar vetëm një raport përmbledhës në e-maiil e duke ofruar vetëm qasjen fizike në dokumentacionin që ka të bëjë me këtë rast. Thirren në nenin 12, paragrafi 1.6 të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe neni 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Dokumentacioni në fjalë është ende pjesë e një procesi aktiv të shqyrtimit administrativ nga ana e RTK-së dhe, rrjedhimisht, nuk është konsideruar ende dokument i përfunduar zyrtar mbi të cilin është marrë një vendim institucional. […]. Oferta për bashkëpunim mund të përmbajë: ide të mbrojtura, propozime unike,apo informacione sensitive që nuk duhet të publikohen para se të ketë vendim institucional. Bazuar në sa u tha më sipër, dhe me qëllim të ruajtjes së konfidencialitetit të palës që ka paraqitur ofertën si dhe mbrojtjes së integritetit të procesit vendimmarrës, RTK ka vendosur të mos ofrojë kopje të dokumentacionit të kërkuar në këtë fazë”.
“Nuk mund të ketë kurdisje për emisione që janë brend i yni, sepse gara nuk është se kush do t’i marrë këto dy emisione pasiqë vetëm ne e prodhojmë “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”. Pasi këto janë emisione autoriale, RTK-së i takon të vendosë nëse dëshiron t’i ketë këto emisione në programin e vet apo të vendosë për ndonjë emision tjetër – të prodhuar nga ndonjë produksion apo OJQ tjetër”, thotë Kreshnik Gashi.
Për Arsim Halilin, drejtor i Radios së transmetuesit publik, procedura që po zhvillohet mes BIRN Kosova dhe RTK-së “përbën shkelje të procedurave të ligjshme dhe të parimit të konkurrencës së hapur për projektet që financohen nga fondet publike ose përmes hapësirës publike me pagesë”. Por, Keshnik Gashi nga BIRN Kosova jep një lexim të tij mbi bazën ligjore të procesit. Thotë se Ligji për RTK-në, neni 12, e obligon transmetuesin publik që ta mbajë gjatë gjithë kohës të hapur konkursin për angazhimin e producentëve të pavarur, të cilët sipas Ligjit për RTK-në prodhojnë 15-20% të tërësisë së programit të RTK-së.
“Shih përmbajtjen e Ligjit: “Me qëllim të realizimit të misionit, vizionit dhe objektivave të veta drejt përmbushjes së shijeve, kërkesave, nevojave dhe interesave diverse të shikuesve dhe dëgjuesve të Kosovës, RTK për çdo vit do të shpallë konkurs publik për blerjen e veprave audio-vizuele të produksioneve të pavarura dhe t’i transmetojë në programin e vet në pajtim me Ligjin dhe Statutin e RTK-së”, sugjeron dhe citon nenin ligjor, gazetari Gashi.
“Duke konsideruar që Ligji e obligon RTK-në që për çdo vit ta mbajë të hapur thirrjen, ne kemi bërë aplikimin tonë me arsyeshmërinë dhe modalitetet e ndryshme për financimin e prodhimit të emisioneve. Gjatë gjithë procesit ne jemi zotuar që pjesën më të madhe të prodhimit do ta financojmë nga fondet e organizatës, ndërsa kemi kërkuar që 25% e mbulusheshmërisë së prodhimit të bëhet nga RTK, duke u lënë atyre mundësinë që të zgjedhin edhe për formën e kompensimit financiar siç është forma e kompenzimit me marketing. […] Ne nuk kemi përcaktuar çmim për sekondat dhe hapësirat reklamuese, duke e lënë kështu RTK-në që të përcaktojë këto procedura”.
Blerim Devolli e përjashtoi, kush po e kthen “Jetën” në RTK
Kreshnik Gashi thotë se BIRN Kosova edhe në vitin 2021 kishte aplikuar për të vazhduar transmetimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” përmes një thirrje për angazhimin e producentëve të pavarur, e cila sipas tij ka qenë publike në faqen e RTK-së.
“Përkundër disa kërkesave të përsëritura ne nuk kemi marrë përgjigje asnjëherë nga menaxhmenti i RTK-së për fatin e aplikimit tonë të vitit 2021”, shpjegon gazetari dhe një nga drejtuesit e BIRN-it dhe produketeve të organizatës.
Duke qenë në dijeni, që – siç thotë ai – “RTK ka shkelur Ligjin kur ka vendosur t’i përjashtojë nga skema e vet programore organizatat e shoqërisë civile dhe producentët e pavarur”, në vitin 2025 BIRN Kosova ka kërkuar “edhe një herë nga RTK” që tu ofrojnë qasje në informacione rreth fatit të aplikimit të vitit 2021, por sipas Gashit rezultoi se aplikimi i tyre, sikurse krejt arkiva digjitale e-maileve të RTK-së ishin fshirë.
Drejtuesit e organizatës BIRN nuk hezitojnë ta drejtojnë gishtin kah dikush që sipas tyre e ka telashe rikthimin e emisioneve të tyre në RTK. Kreshnik Gashi që në fillim të përgjigjeve të tij për gazetën flet për “ndikimin e oligarkëve e më pas edhe politikës”, që sipas tij ishin shtysë që RTK prej gjysmës së dytë të vitit 2020 t’i përjashtojë prodhimet e jashtme nga kanalet e transmetuesit publik.
Fjalën e ka për Blerim Devollin, biznesmenin nga Peja i njohur për ndikimin e tij gjatë disa periudhave qeverisëse, pas luftës në vend.
Krijuesi i korporatës “Devolli Group”, shkaku i lidhjeve me pushtetet e kaluara, jo rrallë herë kishte qenë përfitues i milionave përmes shfrytëzimit të asesteve publike dhe monopoleve në Kosovë.
Një të tillë “BIRN Kosova” e kishte nxjerrë në publik përmes një hulumtimi televiziv i transmetuar në RTK më 30 prill 2020, në kuadër të emisionit “Jeta në Kosovë”.
Hulumtimi “Monopoli me dritë të diellit”, kishte zbardhur skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në Maltë do të përfitonin nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli në Kosovë.
Devolli sikurse në ZRrE për ta mundësuar skemën përfituese, ndikimin e tij e kishte treguar edhe në RTK dhe në Komisionin e Pavarur për Media, pasi ishte shfaqur hulumtimi. Transmetuesi Publik i Kosovës kishte ndërprerë bashkëpunimin disa vjeçar me BIRN-in duke mos i shfaqur më në RTK1 emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”. Derisa, KPM i kishte shqiptuar vërejtje emisionit pas transmetimit të hulumtimit televiziv.
Në një betejë ligjore me Blerim Devollin, në Gjykatën Themelore dhe atë të Apelit, BIRN Kosova e fitoi rastin duke u konstatuar se emisioni i përmbushte të gjitha standardet profesionale dhe vendimi i KPM-së u shpall i pavlefshëm.
Në BIRN Kosova pretendojnë se edhe dyshimet e dala së fundi në publik në lidhje me procedurën për marrëveshje të re mes tyre dhe RTK-së, sikurse edhe transmetimi në media i reagimeve, dokumenteve dhe komunikimeve të paraqitura nga drejtori i Radio Kosovës, e kanë një lidhje diku me Blerim Devollin dhe familjen e tij.
“Shpifjet e z. Halili janë ritransmetuar, pa verifikim, nga disa media që po mbështesin një fushatë të organizuar shpifjesh ndaj emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, fushatë e sponsorizuar nga aktorë të parapolitikës dhe grupe të bizneseve korruptive”, thuhet në një reagim sulmues të organizatës BIRN Kosova ndaj pretendimeve të Arsim Halilit.
Gazeta ka kërkuar komente nga “Devolli Group” nëse themeluesi i saj po financon ndonjë fushatë kundër BIRN-it apo Jeta Xharrës, dhe ka marrë përgjigje – sipas tyre – “të qartë dhe decidive” me vetëm “JO” në çdo pyetje – 8 sosh – të dërguara.
“Për fund, ju lutemi që çfarëdo raportimi që e bëni në lidhje me këtë çështje, të i përmbaheni etikes dhe profesionalizmit gazetaresk, në mënyrë që të raportohet e vërteta dhe vetëm e vërteta”.
Derisa financimi i ndonjë fushate kundër BIRN-it mbetet veç në nivel spekulimi nga organizata në fjalë dhe drejtuesja e saj, ajo që mund të vërtetohet përmes raporteve vjetore të publikuara nga vetë entiteti simotër i “BIRN Kosova”, “Internews Kosova”, del se Blerim Devolli përmes bizneseve të tij ka financuar fushata reklamuese pikërisht në produktet mediale të këtij rrjeti të gazetarisë.
Madje, një gjë e tillë ka ndodhur edhe gjatë kohës kur palët po përballeshin në gjyq për hulumtimin e vitit 2020.
Lidhjen e situatës së krijuar për rikthimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë”, me Devollin, e çon edhe Kreshnik Gashi në përgjigjet e tij për mediumin.
Megjithatë, personat e apostrofuar nga ai, të paktën sipas informacioneve të disponuara në publik, nuk rezultojnë se kanë marrëdhënie kontraktuale me bizneset e Blerim Devollit, por janë të lidhur me ato të vëllait të tij, Shkëlqimit, i cili po ashtu posedon një korporatë biznesesh.
Të dhënat publike nuk sugjerojnë që vëllezërit Devolli ushtrojnë aktivitete të përbashkëta biznesore.
Edhe bizneset e Shkëlqim Devollit, sipas raporteve të audituara të “Internews Kosova” kanë sponsorizuar fushata marketingu në këtë medium, në vitet e fundit.
Prodhimet e BIRN Kosova, pas largimit nga RTK-ja vazhduan shfaqjen në një kanal televiziv privat në vend.
“Fillimisht, në vitin 2021, BIRN ka aplikuar për të vazhduar transmetimin e emisioneve “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” në thirrjen për angazhimin e producentëve të pavarur, e cila ka qenë publike në faqen e RTK-së. Përkundër disa kërkesave të përsëritura ne nuk kemi marrë përgjigje asnjëherë nga menaxhmenti i RTK-së për fatin e aplikimit tonë të vitit 2021”, thotë Gashi nga BIRN Kosova.
Por, procesin e kthimit të emisioneve të BIRN Kosova në RTK, drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, e ka quajtur “tyxharllak” dhe e ka konsideruar “marrëveshje korruptive”.
“Kumbar” i kësaj sipas Halilit është Fadil Hoxha, aktualisht këshilltar i u.d. të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.
Lidhjen e Hoxhës me drejtuesen e BIRN Kosova, Jeta Xharrën, drejtori i Radio Kosovës e dëshmon edhe me një fotografi të publikuar në vitin 2021 nga vetë gazetarja. Dyshja shihen duke luajtur shah bashkë, derisa fotografia është përshkruar me “interesant po bahet loja”.
“Arsimo relaksohu, kur shkrujsha per drejtora tjere ne te kalumen nuk mshajshe po mthojshe: ti e deshmon qe je hulumtues”, iu kundërpërgjigj Hoxha Halilit, më 14 gusht 2025, në Facebook.
Ish-kryesindikalisti i punonjësve të radiotelevizionit publik, aktualisht është Këshilltar i u.d. të Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, përmes një vendimi të dyshimtë ligjor të nxjerrë nga Hysen Hundozi. Bordi i RTK-së, në qershor të këtij viti, ishte distancuar nga ky vendim. Gazeta online Reporteri.net në maj të vitit 2022 kishte gjetur dallavere në avancim e Hoxhës në RTK, që kishte ndodhur dy herë brenda 6 muajve dhe se si i njëjti në vitin 2018 e kishte propozuar vetë vetën për t’u avancuar si udhëheqës i njësisë për analizë dhe statistika dhe ishte paguar edhe për ditët që nuk e kishte këtë pozitë. I njëjti, pak ditë më parë “shpërtheu” në gjuhë seksiste, përçmuese dhe fyese ndaj disa gazetareve të RTK-së, gjë që nxiti reagimin e Rrjetit të Grave Gazetare të Kosovës – organ i AGK-së.
Implikimin e drejtpërdrejtë të Fadil Hoxhës – një promovues i hapur për kthimin e emisioneve të BIRN-it në RTK – në çështjen mes RTK-së e kërkesës së BIRN Kosova, gazeta online Reporteri.net raporton se e ka vërejtur gjatë komunikimeve zyrtare me televizionin publik për sigurimin e dosjes përmes qasjes në dokumentet publike.
Ai është përfshirë nga zyrtarja e RTK-së për qasje në dokumente publike, Mejreme Ibrahimi, në çdo komunikim të saj me mediumin. Kur Ibrahimi është pyetur se përse ka nodhë kjo, ajo ka sqaruar: “Përfshirja e z. Fadil Hoxha në këtë komunikim është bërë në cilësinë e tij si këshilltar i autorizuar i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, për të garantuar koherencë institucionale dhe mbikëqyrje të duhur në trajtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike. Ky veprim është në përputhje me praktikat e brendshme të komunikimit dhe me parimet e transparencës dhe përgjegjësisë institucionale. Për më tepër, z. Hoxha është pjesë e strukturës mbështetëse të nivelit drejtues, dhe ka mandat të përcaktuar për të ndjekur çështje që lidhen me: transparencën, komunikimin institucional, ose përputhshmërinë me ligjin në veprimet e RTK-së. Ai, nuk është palë e tretë, por zyrtar i brendshëm, dhe për rrjedhojë përfshirja e tij nuk përbën shkelje të privatësisë apo kufizim të të drejtave tuaja si kërkues”.
Sipas RTK-së, BIRN në kërkesën e saj për rikthimin në RTK, emisionet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” i ka prezantuar si produkte gazetarie hulumtuese dhe multietnike, të zhvilluara sipas standardeve të larta ndërkombëtare të fact-checking, transparencës dhe etikës profesionale. Aty thuhet se emisionet do të merren me trajtimin e temave të ndjeshme për publikun, si: prokurimi publik, lufta kundër korrupsionit, ndjekja e gjurmëve të parasë, drejtësia, arsimi, mjedisi, barazia gjinore, etj..



